Ilustrim

Këshilla për ndërtuesit, si mund të shmangen aksidentet vdekjeprurëse gjatë ndërtimit

Dhjetëra punonjës të ndërtimit humbin jetën në Kosovë brenda një viti. Arsyet kryesore janë mosbatimi i rregullave të sigurisë të cilat janë të përcaktuara në ligje dhe rregullore.

Duke respektuar këshillat e mëposhtme ndërtuesit mund të shmangin lehtësisht aksidentet dhe të garantojnë siguri për jetën dhe shëndetin e puntorëve.

Fakti i parë që duhet të jetë i ditur është elementi i shëndetit kjo pasi puna në ndërtimtari i ekspozon punëtorët ndaj një sërë problemesh shëndetësore: Nga asbestoza në dhimbje shpine dhe humbje të dëgjimit të shkaktuar nga zhurma; nga sindroma e vibrimit dorë-krah të digiet me çimento dhe sëmundjet e lëkurës. 

Për të shmagur këto probleme rekomandohen kontrolle mjekësore dhe sigurimi i certifikatës mjekësore.

Burimi i fotos – HSK – FCB

Si shmangen aksidentet në ndërtesa? 

Shkaqet kryesore të aksidenteve dhe problemeve shëndetësore janë të njohura: Rëniet nga shkallët, skelet, çatitë dhe vendet e tjera të punës; rëniet përmes çative jo të qëndrueshme; transporti, automjetet, makineria e ndërtimtarisë; rrëshqitjet e gurëve, gërmimet; objektet që bien nga lartësia, praktikat jo të mira të ngritjes së peshave, ekspozimi ndaj zhurmës dhe pajisjet me dridhje të punës, ekspozimi ndaj substancave të rrezikshme, siç janë tretësit, tymi, pluhuri dhe çimentoja.

Prandaj është në interes të shtetit që të përcaktoj politika me anë të të cilave minimizohen rreziqet në ndërtimtari, si dhe mbrohen punëtorët me anë të zbatimit të këtyre politikave. Në kuadër të pajisjes me akte ligjore që e mbulojnë këtë sektor, Ministria e Punës ka miratuar Rregulloren për kërkesat minimale të sigurisë dhe shëndetit në vendet e përkohshme ose mobile, dhe ka përcaktuar masat organizative për hartimin, planifikimin, menaxhimin dhe koordinimin e vendpunishteve ndërtimore. Kjo Rregullore është e harmonizuar me Direktivën e Këshillit 92/57/EEC të datës 24 qershor 1992 për zbatimin e kërkesave minimale për sigurinë dhe shëndetin në vendet e përkohshme ose mobile të ndërtimit. 

Burimi i fotos – HSK – FCB

Mbikëqyrja e sigurisë në punë me anë të një Koordinatori

Kjo rregullore detyron investitorët që projektin ndërtimor, në të gjitha fazat e tij (faza e projektimit, faza e ekzekutimit) të ketë në mbikëqyrje Eksperti i sigurisë dhe shëndetit në punë që është gjithashtu inxhinier i ndërtimtarisë dhe i cili e jep ekspertizën e tij në lidhje me menaxhimin e sigurisë në punë dhe krijimin e një mjedisi të sigurt të punës.

Ky personel i kualifikuar që sipas kësaj Rregullore quhet Koordinator, ka një sërë kompetencash. 

  1. Faza e projektimit

Në fazën e projektimit të objekteve sidomos atyre të larta ndëtuesit duhet të projektojnë masat që duhen ndërrmarrë për të siguruar vendpunishten.

Për këtë qëllim duhet të hartohet një plan i cili kërkon që në secilën fazë të punimeve të adoptohen dhe kontrollohen respektimi i masave të sigurisë. Një plan i tillë parasheh se si do sigurohet objekti kur është në fazën e themeleve si sigoruhet kur nisen katet të ngriten lartë e po ashtu si sigurohet në momentet kur objekti është në fazën finale dhe disa nga skelet duhet të largohen për shkak të fasadës apo vendosjes së dritareve.

Vëmendja tek ekzekutimi 

Çdo gjë mund të duket mirë në letër mirëpo nëse operatorët nuk janë kudjesur ta implementojnë në vendpunishte rreziku për aksidente do jetë i lartë.

Si rrjedhojë rekomandohet që të gjithë punëtorët të kenë udhëzime për implementimin e rregullave të sigurisë në punë. Kompania duhet të implementoj planin e sigurisë. Kompania duhet të organizoj komitete të sigurisë në punë dhe ndajë detyra për personat përgjegjës të kompanive operatore. Pjesë e këtij procesi është edhe kujdesi që secili operator t`i përmbush kërkesat ligjore të sigurisë në punë.

Foto ilustrim – KALLXO.com
  1.   Puna në lartësi

Një vend konsiderohet ‘në lartësi’ nëse një punëtor mund të lëndohet nëse bie nga atje, edhe nëse është në ose nën nivelin e tokës. 

 Aksidentet më të zakonshme gjatë punës në lartësi janë:

  •         Tejzgjatja
  •         Përdorimi jo i duhur i pajisjeve
  •         Puna në kushte të vështira atmosferike
  •         Objektet që bien nga lart
Ilustrim – FOTO: KALLXO

Sipas Rregulloreve, punëdhënësit duhet të sigurojnë:

  •         Që e tërë puna në lartësi të planifikohet dhe organizohet siç duhet
  •         Që e tërë puna në lartësi të merr parasysh kushtet e motit që mund ta rrezikojnë shëndetin dhe sigurinë
  •         Ata që janë të përfshirë në punë në lartësi duhet të jenë të trajnuar dhe të aftësuar për realizimin e punëve në ato pozicione
  •         Vendi ku zhvillohet puna në lartësi është i sigurt
  •         Pajisjet për punë në lartësi inspektohen në mënyrë të vazhdueshme.

Vendosja e skelave dhe mbrojtja 

Rënia e punëtorëve nga lartësia paraqet rrezikun më të lartë dhe si rrjedhojë pasojën më të rëndë. Shumë nga rëniet janë nga vende të pasigurta të punës ose nga mjetet e pasigurta të qasjes në vendet e punës.  

Skelaria mund të përkufizohet si një strukturë e përkohshme që mbështet një ose më shumë platforma dhe që përdoret si vend i punës.

Kur puna nuk mund të bëhet në mënyrë të sigurt nga toka atëherë duhet të përdoren skeleri të përshtatshme dhe të mjaftueshme. Struktura e skelerisë duhet të ketë materiale dhe forcë të mjaftueshme për t’ju ofruar mjete të qasjes së sigurt dhe një vend të sigurt të punës.

Skeleritë duhet të montohen dhe çmontohen vetëm nga personat kompetent. Pas montimit, skelet duhet të inspektohen të paktën një herë në javë dhe për secilin inspektim duhet të ketë një raport të shkruar.

Kërkesa për skelerinë është që ajo të ketë forcën adekuate për ta mbajtur peshën dhe presionin e materialeve ndërtimore si dhe të punëtorëve; të jenë të ankoruara mirë dhe stabile dhe të jenë të dizajnuara për ta parandaluar rënien e punëtorëve dhe materialeve. 

 

Skeleritë e lidhura

Një skele e pavarur përbëhet nga një platformë që rri mbi tuba horizontal, që quhen zakonisht trarë tërthorë, që janë të vendosur në 90° në faqe të ndërtesës dhe të cilët janë të siguruar në të dy skajet me një rresht të shtyllave ose standardeve dhe të tubave horizontal, që vijnë paralel me faqen e ndërtesës. Një skele e pavarur edhe pse duhet të jetë e lidhur me ndërtesën ose strukturën nuk mbështetet në të për forcën e saj.

Shtyllat e skelës duhet të vendosen në tokë të qëndrueshme të niveluar dhe pllakat e bazës në pjesën e poshtme duhet të jenë të vendosura.

Shtyllat duhet të kenë distancë të njëjtë dhe duhet të lidhen dhe përforcohen me shufrat horizontale të fiksuara në anën e brendshme të shtyllave; për të qenë më fortë, lidhjet në shufrat horizontale duhet të jenë zig-zag. Trarët tërthorë duhet të vendosen mbi shufrat horizontale dhe në këndin e duhur me to dhe me ndërtesën ose strukturën. Distancat horizontale në mes trarëve tërthorë në nivelin e platformës së punës do të varen nga trashësia e dërrasave që përdorni dhe që bien mbi to. Shufrat horizontale dhe trarët tërthorë nuk duhet të dalin më shumë se që është e nevojshme jashtë skemës së përgjithshme të skelës përndryshe ato paraqesin rrezik për këmbësorët apo makinat që kalojnë pranë. Mbërthimi është thelbësor për ta forcuar skelën dhe parandaluar lëvizjet anash dhe duhet të kalojë në mënyrë diagonale nga një shufër horizontale tek tjetra ose nga shtylla në shtyllë. Mbërthimet mund të jenë paralele me njëra tjetrën ose mund të bëhen në formë zig-zag. Nëse mbërthimi duhet të hiqet për kalimin e punëtorëve dhe materialit, kjo duhet të bëhet vetëm brenda një ngritje dhe duhet të zëvendësohet menjëherë.

Lidhjet

Sigurohuni që skela të jetë e lidhur ose e ankoruar me ndërtesën ose strukturën në intervale të përshtatshme për ta parandaluar lëvizjen. Mos harroni se efekti i erës është më i madh në skelat e shtruara dhe mund të bëjë që skela e cila nuk është e lidhur mirë të largohet nga faqja e ndërtesës dhe të shembet. Lidhjet mund të duhet të hiqen gjatë kryerjes së punës (p.sh. gjatë vënies së dritareve) por kjo duhet të bëhet një nga një duke e zëvendësuar lidhjen e parë para se tjetra të hiqet: pastaj mund të jetë e nevojshme të përdoret një formë tjetër e lidhjes.

Platformat e punës dhe shtigjet

Dërrasat e skeleve që përbëjnë platformën e punës duhet të qëndrojnë drejtpërdrejt dhe të shpërndara në mënyrë të barabartë mbi trarët tërthorë për ta parandaluar rrezikun e pengimit. Ku takohen fundet e dërrasave, trarët tërthorë duhet të dyfishohen dhe të kenë aq hapësirë saqë asnjë nga dërrasat të mos dalë jashtë më shumë se katër herë trashësia e saj. Nëse dalja është e madhe dërrasa mund të anohet nëse shkel në të, ndërsa nëse është shumë e vogël – më pak se 50 mm do të thotë se mund të zhvendoset lehtë. Normalisht, secila dërrasë duhet të ketë tri mbajtëse për ta parandaluar përkuljen. Hapësira në mes skajit të platformës së punës dhe faqes së ndërtesës duhet të jetë sa më e vogël që të jetë e mundur. Gjerësia e platformës së punës duhet të jetë e mjaftueshme për punën që duhet të kryhet nga aty.

Rrugët ose kalimet duhet ta kenë gjerësinë e duhur për qëllimin e tyre dhe preferohet të jenë horizontale. Në fund, masa paraprake duhet të ndërmerren për ta parandaluar ngritjen e dërrasave gjatë erërave të forta.

Rrethojat mbrojtëse dhe dërrasat anësore për mbrojtjen e këmbëve

Ofrimi i rrethojave mbrojtëse të sigurisë dhe dërrasave anësore për mbrojtjen e këmbëve në secilën pikë ku mund të biesh mbi dy metra lartësi është kritike nëse duhet të parandalohen aksidentet e rënies. Të dyja duhet të vendosen në brendësi të shtyllave. Rrethojat mbrojtëse duhet të jenë mes 90cm dhe 115m mbi platformë për ta parandaluar rënien nga ose nën rrethojë. Dërrasat anësore për mbrojtjen e këmbëve, që po ashtu kanë për qëllim parandalimin që materialet të bien nga skaji i platformës, duhet të ngriten së paku 15 cm mbi platformën e punës për të arritur këtë qëllim, dhe nëse materialet ruhen më lart se kjo lartësi atëherë mbrojtëse shtesë mund të jenë të nevojshme ose hapësira duhet të mbyllet me rrjetë teli. Nëse rrethojat mbrojtëse dhe dërrasat anësore për mbrojtjen e këmbëve largohen për kalimin e materialeve, zëvendësoni ato sa më shpejt që të jetë e mundur.

Skelet me një shtyllë ose të vendosura në mur

Një lloj i zakonshëm i skelës për punë më të vogla është skela me një shtyllë ose skela e vendosur në mur e cila përbëhet nga një platformë që rri mbi mbajtëse horizontale të fiksuara në 90° në faqe të ndërtesës. Fundet e jashtme të mbajtëseve mbështeten në shufra horizontale paralel me faqen e ndërtesës dhe sigurohen me një rresht të vetëm të shtyllave ose standardeve, po ashtu paralel me murin. Fundi i brendshëm i mbajtëseve qëndron i sheshtë në mur, ose në vrima në mur, e jo në shufrat horizontale. Rrjedhimisht skela nuk mund të qëndrojë pa mbështetjen e strukturës. Skelet e vendosura në mur përdoren kryesisht aty ku ndërtohen strukturat e tullave. Të njëjtat parime të ndërtimit të mirë si për skelet e pavarura janë përgjithësisht të zbatueshme.

Skela nuk duhet lënë pjesërisht e ndërtuar ose e çmontuar përveç nëse njoftime adekuate janë vënë që ajo të mos përdoret dhe të gjitha pikat e qasjes bllokohen.

Me të dyja llojet e skeleve, shpesh ekziston nevoja për të siguruar shtrim, dërrasa, rrjetëzim ose tulla për ta parandaluar rënien e materialeve nga skela në rrugë ose në vende publike. Skela shpesh është e arritshme lehtësisht nga rruga dhe hapa pozitivë si heqja e shkallëve të qasjes duhen ndërmarrë për të parandaluar ngjitjen e skelave nga fëmijët, veçanërisht pas përfundimit të ditës së punës.

Pajisjet Personale Mbrojtëse – PPM

Kushtet e punës në ndërtim janë në shumicën e rasteve të tilla që ndonëse merren të gjitha masat parandaluese në planifikimin e projektit dhe në dizajnimin e punës, disa pajisje personale mbrojtëse (PPM) siç janë helmeta, mbrojtja e dëgjimit dhe syve, çizmet dhe dorezat, janë të nevojshme për mbrojtjen e punëtorëve.

Burimi i fotos – HSK – FCB

Mbrojtja e kokës

Objektet që bien, ngarkesat sipër dhe daljet e mprehta mund të gjenden kudo në vendet e ndërtimit.

Një vegël e vogël ose një bulon që bie nga 10 ose 20 metra lartësi mund të shkaktojë dëmtime serioze ose edhe vdekje nëse godet kokën të pambrojtur. Lëndimet e kokës ndodhin shpesh kur lëvizet dhe punohet në pozicion të përkulur, ose gjatë ngritjes nga ai pozicion.

Helmetat e sigurisë mbrojnë kokën në mënyrë efektive kundër shumicës së këtyre rreziqeve dhe ju duhet ta vëni një helmetë kurdo që jeni në vendin e ndërtimit dhe veçanërisht kur jeni në një zonë ku është duke u kryer punë në lartësi. Këto zona të njohura si “zona për helmeta”, duhet të jenë të shënuara qartë me shenja të sigurisë në hyrje dhe në vende të tjera të përshtatshme.

I njëjti rregull zbatohet për menaxherët, mbikëqyrësit dhe vizitorët. Duhet të përdoren vetëm helmetat e sigurisë të cilat janë testuar me standarde kombëtare apo ndërkombëtare. Një rrip që kalon poshtë mjekrës parandalon rënien e helmetës dhe duhet të përdoret kur është e përshtatshme.

Foto ilustrim
Foto ilustrim

Mbrojtja e këmbëve

Lëndimet e këmbës grupohen në dy lloje kryesore: Ato për shkak të depërtimit të shuallit nga gozhdët që nuk janë gozhduar ose hequr, dhe ato nga materialet që bien, që mund të minimizohen duke veshur këpucë mbrojtëse. Lloji i këpucëve apo çizmeve të sigurisë që përdoren varet nga natyra e punës (p.sh. prania e ujërave nëntokësorë në vendet e ndërtimit), por të gjitha këpucët e sigurisë duhet të kenë një shuall të padepërtueshëm dhe në pjesën e sipërme majën të veshur me çelik.

Ka shumë lloje të këpucëve të sigurisë në dispozicion si:

  •         Këpucët e lehta të lëkurës, me prerje të ulët që përdoren për ngjitje
  •         Këpucët normale të sigurisë ose çizmet për punë të rënda
  •         Çizme nga goma, plastika ose llastiku që sigurojnë mbrojtje kundër substancave gërryese, kimikateve dhe ujit.
  1.     Mbrojtja e syve

Në ndërtimtari shumë lëndime të syve ndodhin si rezultat i materialeve që valëviten në ajër, pluhurit ose rrezatimit kur kryhen punët e mëposhtme:

  •         Thyerja, prerja, shpimi, veshja ose shtrimi i gurëve, betonit dhe tullave me vegla të dorës ose me rrymë
  •         Heqja dhe veshja e sipërfaqeve të ngjyrosura ose të gërryera
  •         Prerja e gozhdave dhe bulonave
  •         Mprehja e sipërfaqeve me makinë mprehëse me rrymë
  •         Saldimi dhe shkurtimi i metaleve.

 

  1. Veshja e trupit për mbrojtje nga rënia

Shumica e aksidenteve fatale në ndërtim ndodhin për shkak të rënieve nga lartësitë. Kur puna nuk mund të bëhet nga një skelë ose shkallë, ose nga një platformë lëvizëse e qasjes, përdorimi i veshjes së trupit për mbrojtje nga rënia mund të jetë mënyra e vetme për të parandaluar lëndimet e rënda ose vdekjen.

Një tjetër situatë e rëndomtë në të cilën mund të përdoret veshja e trupit për mbrojtje nga rënia – nganjëherë e plotësuar me përdorimin e një rrjete sigurie – është puna e mirëmbajtjes në strukturat e çelikut si urat dhe shtyllat.

Ka shumë lloje të rripave të sigurisë dhe veshjeve të trupit për mbrojtje nga rënia. Duhet të kërkohet këshillë nga prodhuesi ose furnizuesi për llojet e përshtatshme për qëllimin e synuar dhe për udhëzimet mbi përdorimin dhe mirëmbajtjen e tyre. Një veshje trupi për mbrojtje nga lartësia.

Duke i përfillur rregullat e përcaktuara me Rregulloren për kërkesat minimale të sigurisë dhe shëndetit në vendet e përkohshme ose mobile si dhe duke angazhuar Koordinatorin për siguri dhe shëndet në punë, minimizohet dukshëm niveli i rrezikut dhe kështu punëtorët kanë siguri më të lartë në vendin e punës. 

Ky artikull/raport është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të punës të grupeve të cenuara në tregun e punës”. Përmbajtja e këtij artikulli  është përgjegjësi e ATRC dhe BIRN Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.