Heshtje zyrtare, analistët flasin për marrëveshjen e mundshme Kosovë-Serbi

Në ditën të cilësuar si historike dhe me rëndësi të madhe për Kosovën dhe Serbinë, dy vendet kanë drejtuar sytë në ShBA ku po diskutohet një marrëveshje, natyra dhe përmbajtja e së cilës nuk dihet.

Ekipi prej 8 zyrtarëve qeveritarë nga Kosova është duke qëndruar në Uashginton që nga dita e hënë për të negociuar me Serbinë nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Takimi i parë u mbajt dje dhe pritet të vazhdojë  sot për të prodhuar arritjen e një marrëveshje të proklamuar si përfundimtare. Deri më tani nuk ka asnjë fjalë zyrtare mbi përmbajtjen e marrëveshjes e madje as deklarim definitiv lidhur me atë se sa kjo marrëveshje do të ketë karakter politik apo ekonomik siç ishte thënë ditë para takimit.

Vet kryeministri Avdullah Hoti, dje tha se për sot pret të ketë një finalizim të diskutimeve, por nuk dha asnjë detaj më tepër.

“Një gjë mund të ju them që marrëveshje të dëmshme për Kosovën asnjëherë nuk kanë ardhur dhe asnjëherë nuk do të vijnë nga Shtëpia e Bardhë”, deklaroi mbrëmë kryeministri Hoti.

Sot në orën 17 me kohën e Kosovës dhe 11 me kohën lokale në Uashington, pritet të ketë përsëri takim mes dy delegacioneve, ku është raportuar se i pranishëm do të jetë edhe presidenti amerikan Donald Trump.

Analisti dhe gazetari Imer Mushkolaj që është duke qëndruar në Uashington tha për KALLXO.com se gjatë ditës së djeshme është diskutuar disa drafte, por sipas tij nuk do të ketë marrëveshje që prek ekstremet e diskursit publik në Kosovë e Serbi.

“Përmbajtja e marrëveshjes është mbajtur e fshehtë, ndërkohë që dje është punuar në 3-4 drafte, për të arritur te ky që nënshkruhet sot. Gjasat janë që marrëveshja të mos prek ato që mund të konsiderohen ekstreme në diskursin publik në Kosovë e Serbi, e që është prekja e integritetit territorial dhe njohja e Pavarësisë së Kosovës nga Serbia”, tha për KALLXO.com, Imer Mushkolaj.

Në anën tjetër ish- ambasadori i Kosovës në Uashington, Avni Spahiu, beson se fakti që Trump do të merr pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes potenciale, flet se ky round i bisedimeve ka dhënë rezultate.

Spahiu thotë se nuk është reale të pritet njohje reciproke në këtë moment.

“Nuk mendoj se është reale të pritet njohja reciproke në këtë moment, ky është një takim vazhdimsi e dialogut e cila megjithatë është e rëndësishme për shkak të disa marrëveshjeve konkrete që kanë të bëjnë me infrastrukturën mes dy vende, por është herët për njohje reciproke”, shtoi Spahiu për KALLXO.com.

Ai ka quajtur akte dramatizuese reagimet e djeshme të zyrtarëve të Serbisë dhe sipas tij ato reagime kanë pasur qëllime të caktuara.

“Ka pasur një dramatizim nga ana e Serbisë për draftet që janë prezantuar, të cilat presidenti serb i merr si një heroizëm të tij që gjoja i ka kundërshtuar. Nëse nuk ekziston në mënyrë eksplicite kërkesa për njohje atëherë ajo ekziston në mënyrë implicide, që do të thotë që epilogu i bisedimeve do të kurorëzohet me njohje reciproke”, thotë ish ambasadori i Kosovës në Uashtington.

Në anën tjetër në Kosovë askush nuk ka pranuar të flasë për zhvillimet dhe raportimet që po vijnë nga Uashingtoni.

Dy partitë më të mëdha opozitare, Vetëvendosje dhe PDK nuk kanë dashur të deklarohen për këtë çështje.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me njeriun kryesor të Qeverisë që ka mbetur në Kosovë, zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Tahiri, por ai nuk ka qenë i qasshëm.

As kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani nuk ka pranuar të deklarohet për zhvillimet që po ndodhin në Amerikë.

Ndërkohë, presidenti Thaçi, që për shkak të aktakuzës nga Gjykata Speciale nuk ka mundur të jetë pjesë e takimit ka zgjedhur të hesht.

Në profilin e tij në Facebook ai nuk e ka komentuar fare takimin, derisa në Twitter gjatë ditës së djeshme ku e kishte inkurajuar ekipin e Kosovës për takimin.

“Unë e inkurajoj delegacionin e Kosovës për të bërë hapa të guximshëm për paqen, pajtimin dhe prosperitetin ekonomik”, kishte shkruar Thaçi gjatë ditës së djeshme.

Në anën tjetër,  zhvillimet në Uashington nuk ka dashur t’i komentojë as ish- kryenegociatorja e Kosovës në Bruksel, Edita Tahiri.

Gjatë ditës së djeshme në mediat serbe u citua ministri i Ekonomisë së Serbisë, Sinisha Malli duke thënë se SHBA i ka propozuar Serbisë të njohë pavarësinë e Kosovës.

“Temat ekonomike, është e dukshme që nuk janë përparësi, ashtu siç kemi pritur. Pika e dhjetë e listës që na është prezantuar, flet për njohjen e ndërsjellë, ndërkaq të 16 pikat janë politike dhe jo ekonomike, të cilat i kemi pritur”, ishte shprehur Malli.

Deklarimin e Ministrit e ka demantuar Richard Grenell, i Dërguari i Posaçëm i ShBA-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Menjëherë pas përfundimit të takimeve në Uashington, ekipi i Kosovës do të udhëtojë për në Bruksel, ku pritet të vazhdojë i njëjti dialog por me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.