Hoti flet pas takimit në Shtëpinë e Bardhë: Nesër pret marrëveshje me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti pas takimit me palën serbe në Shtëpinë e Bardhë, këtë takim e ka quajtur historik dhe sipas tij, është një hap drejt përmbylljes së marrëveshjes finale me Serbinë.

Ai e pohoi se ditën e nesërme do të ndodhë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne tash kishim një takim bashkë më presidentin serb, nesër presim që ta finalizojmë këtë angazhim që e kemi pas tash e sa kohe. Informata më detaje do të ketë nesër”, ka shtuar Hoti.

I pyetur nëse sot në bisedime, Serbisë i është ofruar në tavolinë njohja e Kosovës, ai nuk pranoi që të japë detaje.

“Një gjë mund të ju them që marrëveshje të dëmshme për Kosovën asnjëherë nuk kanë ardhur dhe asnjëherë nuk do të vijnë nga Shtëpia e Bardhë.  E kemi bërë një progres të madh në çuarjen e bashkëpunimit ekonomik dhe jemi një hap më afër përmbylljes së marrëveshjeve. Për çdo gjë që flasim me Serbinë, qëllimi jonë është njohja reciproke dhe sot kemi bërë një hap të madh në drejtim të përafrimit”, tha Hoti.

Hoti po ashtu mohoi edhe idenë e shkëmbimit të territoreve të jetë biseduar sot në këtë takim.

“As nuk është shtruar në tavolinë as nuk duhet të shtrohet asnjëherë. Jemi plotësisht brenda parimeve që i kemi si Qeveri. Ju do të shihni nesër marrëveshjen sepse kështu është dakordimi, kemi bërë një hap të madh drejt përmbylljes finale”, tha në fund Hoti.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti sot u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë.

Nikoqirë të takimit janë këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, si dhe i dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, para takimit në Shtëpinë e Bardhë të enjten, ka deklaruar se asnjë diskutim tjetër nuk bëhet me Serbinë, përveç se për njohje reciproke.

Ndërsa, derisa ishte duke u mbajtur takimi në media qarkulloi një lajm se në këtë takim Serbisë i’u kërkua njohja e Kosovës.

Por, këtë gjë e mohoi, i dërguari i Trump, Richard Grenell përmes një postimi në Twitter.

Ky është takimi i dytë i thirrur nga Uashingtoni. Një takim i planifikuar më 27 qershor, ishte anuluar pak ditë para mbajtjes, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte deklaruar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit.