Gjetjet skandaloze të Auditorit në Ujësjellësin e Prizrenit

Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kundërt për pasqyrat financiare të Kompanisë rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor- Prizren”. Ky opinion jepet në rastet kur Auditorit konstaton se Pasqyrat Financiare Vjetore nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale.

Auditori ka listuar keq-deklarimet që janë bërë nga kjo ndërmarrje në pasqyrat financiare të saj.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit të Prizrenit nuk kishte bërë rivlerësimin e pasurive që nga vitit 2007, ndërkohë që më ligj kërkohet që riverësimit të bëhet njëherë në 3 deri në 5 vjet.

Pasuria e vlerësuar e kësaj kompanie në vitin 2007 ishte 19,5 milionë euro, mirëpo Auditorit nuk ka qenë në gjendje të vlerësojë “nëse kjo vlerë është e saktë, apo e mbi/nënvlerësuar”.

Auditori ka gjetur se kjo kompani ka bërë mbivlerësimin e të hyrave afariste.

“Rezerva për aksionet vetjake e prezantuar në Pasqyrën e pozitës financiare ishte 14,574,432€. Kjo vlerë, krahasuar me vitin paraprak ishte zvogëluar duke debituar për 400,292€, si pasojë e zhvlerësimit për mjetet e rivlerësuara të vitit 2007. Si rrjedhojë, kjo shumë ka ndikuar në mbivlerësimin e të hyrave tjera afariste në pasqyrën e të ardhurave duke e ndikuar edhe rezultatin financiar të Kompanisë. Po ashtu, për të njëjtën vlerë të hyrat nga donacionet në pasqyrën e rrjedhës së parasë janë mbivlerësuar”, thuhet në raportin e Auditimit.

Auditori ka konstatuar se rrjedha e parasë nga aktivitetet operative dhe financuese nuk paraqesin pamje të drejtë.

Borxhet e palëve të treta ndaj kompanisë, sipas Auditorit ishin mbivlerësuar për 133,104 euro. Në të njëjtën kohë, borxhet e kompanisë ndaj palëve të treta ishin mbivlerësuar për 8,121 euro. Vlera e stoqeve ishte mbivlerësuar për 403 mijë euro.

“Inventari (stoqet) gjatë vitit ishin rritur për 201,831€, ndërsa në rrjedhën e parasë sipas aktiviteteve operative në vend se të prezantohej kjo vlerë si zvogëlim i parasë ishte prezantuar si rritje e parasë, duke u mbivlerësuar për 403,662€”, thuhet në raportin e Auditorit.

Auditori ka konstatuar se kompania i ka mbivlerësuar mbivlerësuar aktivitetet financuese për 1,568,538 euro, pasi te rrjedha e parasë nga aktivitetet financuese ishin prezantuar gabimisht të hyrat të cilat kompania i mbledh nga aktiviteti primar i saj.

Llogaritë e arkëtueshme tregtare dhe të arkëtueshme tjera (borxhet e palëve të treta ndaj kompanisë) në pasqyrat financiare duhet të njihen në vlerën reale. Por, Auditori ka gjetur se llogaritë e arkëtueshme të prezantuara në pasqyrat financiare vjetore krahasuar me shënimet kontabël ishin nënvlerësuar për 94,430 euro.

“Gjithashtu, kompania nuk ka arritur të përcjell nëntë (9) letër konfirmime në vlerë prej 32,204€, me arsyetimin se konsumatori nuk gjendet në Kosovë si dhe ndërmarrjet Vllaznimi dhe N.N Unimont që ishin faturuar nuk ushtrojnë veprimtarinë më”, thuhet në raportin e Auditorit.

Edhe borxhet e kompanisë duhet të njihen me vlerën reale të tyre gjë që nuk ka ndodh me rastin e kësaj ndërmarrjeje.

“Gjatë procesit të verifikimit tek furnitorët nëse përputhen borxhet e tyre me shënimet në kontabilitetin e kompanisë nga konfirmimet e pranuara, në pesë (5) raste vlera e konfirmimeve të pranuara ishte 1,152,292€ për të njëjtët furnitor që në kontabilitet janë prezantuar 1,221,568€, duke i mbivlerësuar borxhet për 69,276€”, thuhet në raportin e auditorit.

Auditori ka gjetur se Kompania në fund të vitit 2018 në llogaritë e saj posedon 9,588€ nga pagesat e klientëve pa adresë, pagesat e panjohura në ekstrakt si dhe pagesat që bëhen gabim në llogaritë bankare të kompanisë.

“Rreziku i mos identifikimit të klientëve të cilët kanë paguar bënë që kompanisë t’i mbeten llogari të hapura në fund të vitit si dhe llogaritë e arkëtueshme të jenë të mbivlerësuara”, thuhet në raportin e Auditorit.

57% e ujit në Prizren humbet

Hidroregjioni Jugor kishte përgatitur strategji për zvogëlimin e humbjeve të ujit për vitet 2018-2022. Edhe për kundër përpjekjeve gjatë vitit 2018, uji i pa faturuar apo siç quhet ndryshe humbja e ujit ishte 57%, përderisa në vitin 2017 humbja e ujit në këtë kompani ishte 58%.

Humbjet e ujit sipas raporteve të ARRU-së janë për shkak të humbjeve teknike (rrjedhjet), humbjet komerciale (lidhjet ilegale, pasaktësitë gjatë leximit të ujëmatësve, faturimi pa ujëmatës, etj.) dhe një sasi e humbjeve të autorizuara (objektet e kultit, zjarrfikësit, fontanat publike, etj.)