Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti - Foto: Zyra e Kryeministrit

Çfarë përmban korniza për dialog e qeverisë Hoti?

Dialogu me Serbinë është thënë të jetë një prej prioriteteve që do t’i ketë Qeveria e Kosovës me kryeministër Avdullah Hotin.

Ky i fundit të mërkurën, prezantoi atë që e quajti “kornizën e Qeverisë së Kosovës për dialogun”, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Para anëtarëve të Akademisë, Hoti tha se që nga marrja e detyrës ka punuar intensivisht me kolegët e tij në kabinetin qeveritar dhe ka zhvilluar diskutime me partnerët ndërkombëtar, si në Uashington, në Berlin edhe në Paris, për të rikonfirmuar vullnetin e Qeverisë për të hyrë në këtë proces dhe qasjen e tyre.

Kryeministri i emëruar një javë më parë me 61 vota të deputetëve, tha se dialogu do të zhvillohet vetëm mbi bazën e Kushtetutës së Kosovës dhe se atë do ta udhëheqë kryeministri i vendit.

“Ka pasur plot diskutime nga më të ndryshmet javëve dhe muajve të fundit. Unë nuk do të bëj kurrfarë gare me vartësit e tjerë institucionalë, sepse kompetencat e mia kushtetuese janë të qarta për të gjitha çështjet përfshirë edhe procesin e dialogut, por në veçanti për procesin e dialogut  kompetencat e mia si kryeministër janë betonizuar edhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh kreu i Qeverisë.

Në anën tjetër, presidenti Hashim Thaçi, i cili ka përfaqësuar Kosovën dialogun në nivel politik me Serbinë, muajve të fundit ka orientuar qasjen e tij kah përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë për këtë proces, Richard Grenell, duke shfaqur qëndrimin se me amerikanët do të arrihet një “dinamikë – punë e shpejtë dhe e mirë”.

Së fundi, Presidenti ka thënë se ai dhe kryeministri “do ta plotësojnë njëri-tjetrin” në udhëheqjen e procesit.

Ndërkaq, kryeministri Hoti në programin e tij qeverisës, mes prioritetesh e ka vendosur dialogun me Serbinë, duke shtuar se do të marr përgjegjësinë për ta udhëhequr atë, duke ruajtur kufijtë ekzistues të Kosovës si dhe duke e vlerësuar si të pandashëm rolin e BE-së dhe ShBA-së për “suksesin e këtij procesi”.

Në programin qeverisës 2020-2023, të qeverisë Hoti, të siguruar nga KALLXO.com, thuhet se palë negociuese në dialog do të jetë qeveria, e cila i përgjigjet Kuvendit, ndërkaq Presidenti e përfaqëson vendin në bazë të kompetencave kushtetuese.

Heqja e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë nga Qeveria Hoti (LDK-AAK-NISMA-Lista Serbe-partitë tjera jo-shumicë) ka hapur mundësinë për rifillimin e dialogut mes të dyja vendeve.

Tri parimet kryesore të ekzekutivit për negociata

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i preznatoi tri parimet për negociatat me Serbinë: integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i panegociueshëm, njohja reciproke dhe e treta, marrëveshja që duhet të arrihet, duhet të jetë në përputhje me frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Tutje ai shtoi se ajo çfarë synojmë në procesin e dialogut, është njohja reciproke, duke potencuar se nuk ka kuptim asnjë marrëveshje, e cila nuk siguron njohje reciproke.

“Jo njohje reciproke të përkohshme, të modeleve të dy Gjermanive ose të modeleve të tjera ndërkombëtare siç janë përmendur nëpër tryeza të ndryshme, por njohje reciproke që na siguron ulëse në OKB, menjëherë, dhe na siguron menjëherë gjithashtu njohje nga pesë vendet e BE-së që ende nuk na kanë njohur”, u shpreh kryeministri.

Ai theksoi se kanë objektiv që të adresojnë çështjet e hapura mes të dy vendeve, të pagjeturit, dëmet e luftës, suksesioni i pasurisë së ish-Jugosllavisë, kthimi i pensioneve, artefakteve dhe një listë e gjatë e çështjeve që janë në pritje për t’u zgjidhur.

“Por, unë besoj që me njohjen reciproke dhe me anëtarësimin në OKB, këto çështje pastaj do të adresohen më lehtë edhe në përputhje me konventat ndërkombëtare që duhet të zbatohen për të normalizuar marrëdhëniet në mes të dy vendeve. Ajo që është e rëndësishme si objektivë qenësore e procesit të dialogut është që të shfuqizohet Rezoluta 1244”, tha mes tjerash Hoti.

Uniteti politik, organizimi i procesit dhe ekipi

Sa i përket organizimit të procesit, kryeministri theksoi kanë menduar që fillimisht të formalizojnë forumin e liderëve të partive politike parlamentare, i cili forum do të jetë konsultativ  me qëllim që të ndërtohet konsensusi i nevojshëm politik në vend.

“Ky forum nuk do të marrë asnjë kompetencë që e ka Kryeministri, që e ka Kuvendi, Presidenti ose institucionet e tjera. Do të jetë një forum të cilin unë do ta informoj për qëndrimin që do ta mbajë si kryeministër në procesin e dialogut dhe pas çdo raundi të dialogut unë do t’i informoj në detaje për progresin që kemi arritur në procesin e dialogut”, tha ai.

Si pikë e dytë sipas tij është se brenda Zyrës së Kryeministrit do të themelojë Këshillin e ekspertëve për dialogun.

“Këtu kemi menduar që të përfshijmë njerëz me ekspertizë nga shoqëria civile, nga fusha akademike përfshirë Akademinë dhe institucionet e tjera akademike, njerëz që kanë përvojë në proceset dialoguese nga negociatat, nga Rambujeja, nga negociatat e Vjenës, dhe procesi i dialogut të viteve të fundit”, tha ai duke prezantuar kornizën.

Ndërkaq e treta, sa i përket organizimit të procesit të dialogut, shefi i ekzekutivit të ri tha se do të kërkojë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që të themelojë një Komision Parlamentar për dialog, në bazë të rregullores së Kuvendit ku marrin  pjesë të gjitha grupet parlamentare, të cilin komision duhet ta kryesojë opozita dhe i cili komision do të mbikëqyrë nga afër procesin e dialogut.

Unifikimi lidhur me procesin e negociatave me palën serbe, është një prej pjesëve kryesore të kornizës së qeverisë.

Hoti në Akademinë e Shkencave tha se ka pasur takime me liderët e partive politike, grupeve parlamentare, dhe ka dërguar ftesë edhe tek opozita.

Por sipas tij, një pjesë e opozitës nuk janë përgjigjur fare, një pjesë e tyre kanë shprehur vullnet “por nuk kemi arritur që të takohemi bashkë dhe të prezantojmë këtë qasje të qeverisë së re karshi procesit të dialogut”.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila udhëhoqi qeverinë për disa muaj, tash si parti parlamentare opozitare, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Qeveria e Kosovës, për të diskutuar  rreth dialogut me Serbinë.

Sipas tyre një qeveri e cila varet nga Lista Serbe, nuk ka kredibilitet dhe legjitimitet.

Kryeministri ndër të trjerash u zotua për transparencë në këtë proces.

“Gjatë gjithë procesit unë ju siguroj që do të jemi plotësisht transparent sepse nuk ka asgjë që duhet të zhvillohet prapa dyerve të mbyllura”, u shpreh ai.