Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Al Jazeera: Kosova dhe Bosnja bëjnë thirrje për anëtarësim në NATO

Presidentja e Kosovës dhe ministri i mbrojtjes i Bosnjës ndajnë shqetësimet e tyre për sigurinë rajonale dhe Serbinë si mike e Moskës, në një intervistë dhënë agjencisë ndërkombëtare Al Jazeera.

Ndërkohë që ndikimi i Rusisë po rritet në Ballkanin Perëndimor dhe lufta po përshkallëzohet në Ukrainë, liderët e Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës kanë deklaruar se anëtarësimi në NATO do t’i ndihmonte të dyja vendet në ruajtjen e sigurisë rajonale.

Që nga 24 shkurti, kur presidenti Vladimir Putin e filloi pushtim e plotë të Ukrainës duke përmendur kundërshtimin e Rusisë ndaj anëtarësimit të mundshëm të Ukrainës në NATO, si një shqetësim kryesor, ekziston një frikë se ky konflikt ushtarak mund të përhapet edhe në Ballkanin Perëndimor.

Lëvizjet e supozuara të Rusisë në Ballkanin Perëndimor janë dokumentuar gjatë viteve dhe përfshijnë përpjekje për t’i lehtësuar grushtet në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut përpara anëtarësimit të tyre në NATO në 2017 dhe 2020, respektivisht.

Për Bosnjën dhe Kosovën, pasi kanë përjetuar vrasje masive të kryera nga forcat serbe në vitet 1990 nën qeverisjen brutale të presidentit të atëhershëm serb Slobodan Millosheviq, të dyja vendet e kanë bërë si objektiv strategjik bashkimin me aleancën ushtarake transatlantike të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Këto dy vende mbesin vendet e vetme në rajon të cilat nuk janë pjesë e NATO-s, për dallim prej Serbisë, e cila e sheh NATO-n si “armikun” e saj.

Në vitin 1999, NATO zhvilloi një luftë 78-ditore kundër Serbisë për ta parandaluar gjenocidin në Kosovë kundër shqiptarëve etnikë.

Bosnja aktualisht po merr pjesë në Planin e Veprimit të Anëtarësimit (MAP), i parë si “hapi i fundit përpara se ta fitojë anëtarësimin [NATO]”, sipas ministrit të Mbrojtjes të Bosnjës, Sifet Podzic.

Por sikurse me Kievin, Moska ka protestuar kundër ofertës së Sarajevës për t’iu bashkangjitur NATO-s, pavarësisht distancës prej 2,400 km mes tyre.

Ambasada ruse në Sarajevë paralajmëroi vitin e kaluar se Rusia “do të duhet të reagojë ndaj këtij akti armiqësor” nëse Bosnja ndërmerr hapa drejt anëtarësimit.

Ambasadori rus në Bosnje Igor Kalabukhov e përsëriti këtë mesazh muajin e kaluar në një intervistë në TV boshnjak, duke e përdorur si shembull pushtimin e Ukrainës nga Moska.

“Nëse [Bosnja] zgjedh të jetë anëtare e ndonjë gjëje, kjo është punë e saj e brendshme. Por ka edhe një gjë tjetër, reagimi ynë”, tha ai.

“Ne kemi treguar se çfarë presim në shembullin e Ukrainës. Nëse ka kërcënime, ne do të reagojmë.”

Për presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, paralajmërimi i Kalabukhovit tregon “se Rusia ka një interes shkatërrues në rajonin tonë”.

“Ata janë veçanërisht të interesuar ta sulmojnë Kosovën, Bosnjën dhe Hercegovinën, dhe deri diku edhe Malin e Zi [anëtarin e NATO-s]”, tha Osmani për Al Jazeera.

Serbia, që shihet si një përfaqësuese e Rusisë, mund të veprojë me Moskën ndërkohë që ndihet “e guximshme nga ajo që po ndodh në kontinentin e Evropës tani”, tha ajo.

“Ndikimi që ka Rusia në Serbi nuk po zvogëlohet, ai në fakt është duke u rritur përgjatë viteve.”

Anëtarësimi ‘i domosdoshëm’

Tri ditë pasi Rusia e pushtoi Ukrainën, Kosova kërkoi anëtarësim të përshpejtuar në NATO dhe kërkoi një bazë të përhershme ushtarake amerikane në territorin e saj.

Që nga atëherë presidentja Osmani ka kërkuar nga presidenti amerikan Joe Biden që ta përdorë ndikimin e Uashingtonit për ta ndihmuar Kosovën të anëtarësohet.

Mirëpo katër anëtarë të NATO-s – Spanja, Sllovakia, Greqia dhe Rumania – nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës të shpallur nga Serbia në vitin 2008, duke e bërë të ndërlikuar ofertën e saj.

Osmani tha se Kosova fillimisht synon të bashkohet me mekanizmat, të tilla si Partneriteti për Paqe, një program i NATO-s që inkurajon bashkëpunimin me vendet joanëtare.

“Ne po flasim tashmë me anëtarët [NATO] për t’u siguruar që të gjithë të kuptojnë se si anëtarësimi në NATO po bëhet i domosdoshëm, veçanërisht në dritën e ngjarjeve në Ukrainë,” tha Osmani, duke e vënë në pah dialogun politik.

Serbia

Serbia, e konsideruar prej kohësh nga Brukseli si një nga vendet kryesore për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, është i vetmi vend në Evropë, përveç Bjellorusisë, që nuk ka vendosur sanksione ekonomike kundër Rusisë.

Në vend të kësaj, qeveria dhe opozita serbe kanë treguar solidaritet me Putinin.

Ndërkohë që vendet e BE-së i kanë anuluar fluturimet për në Rusi, Air Serbia i dyfishoi fluturimet e saj midis Beogradit dhe Moskës muajin e kaluar, vetëm për ta anuluar këtë vendim një ditë më vonë pas reagimit të ashpër ndërkombëtar.

Moska dhe Beogradi kanë shfaqur rregullisht lidhje të afërta mes vete.

Më 19 shkurt, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, një populist që shënoi një fitore dërrmuese në zgjedhje këtë muaj, deklaroi në televizionin shtetëror Tanjug se do të takojë zyrtarin e lartë të sigurisë së Rusisë, Nikolai Patrushev në Beograd për t’i diskutuar pretendimet e Moskës se “mercenarët” nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnja u dërguan për të luftuar në anën ukrainase.

Zyrtarët nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnja i kanë hedhur poshtë pretendimet e bëra nga ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov.

Por më vonë atë muaj, me sanksionet e reja në fuqi dhe me vendet në Evropë që i ndaluan avionët rusë nga hapësira e saj ajrore, Patrushev thuhet se nuk është në gjendje të shkojë në Beograd.

Osmani tha se pretendimi për mercenarë pro-ukrainas është “një pjesë tjetër e propagandës së tyre”.

“Pa marrë parasysh faktet, disa në BE vazhdojnë ta shtyjnë përpara një politikë qetësuese aktive ndaj Vuçiqit, që besoj se është një gabim i madh”, tha Osmani.

“Ne ende presim, populli i Kosovës, të dëgjojmë mesazhe të qarta nga bashkësia ndërkombëtare ndaj Serbisë se nuk mund të ulen në dy karrige njëherësh, veçanërisht kur këto dy karrige janë shumë larg njëra-tjetrës. Fatkeqësisht, ne nuk e kemi dëgjuar ende atë gjuhë të qartë.”/Al Jazeera