Akuzohet se Kërkoi Vota për Pal Lekajn

Prokuroria Themelore e Gjakovës akuzon Arben Ndojën për keqpërdorim në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar në vendvotimin ku ishte përgjegjës.

Sipas prokurorisë, Ndoja duke qenë mbikëqyrës në shkollën e fshatit Bec, në vendvotimin numër 015C/02R  më 3 nëntor 2013 ndikoi te disa votues duke ua sugjeruar kandidatin që duhet ta votojnë.

“A dini se kënd duhet me votu-Palin”, shpjegohet në aktakuzë t’u ketë thënë Ndoja disa votuesve në korridorin e shkollës së Becit.

Pal Lekaj që deri në zgjedhjet e vitit 2013 ishte kryetar i Gjakovës, u mposht në balotazhin e 1 dhjetorit të atij viti nga Mimoza Kusari-Lila.

Pikërisht një vëzhguese e AKR-së në këtë shkollë kishte vërejtur ndikimin e Ndojës te votuesit, duke u grindur me të.

Në seancën e së mërkurës, pasi prokurori Ali Uka lexoi aktakuzën, kryetari i trupit gjykues Shaqir Zika e pyeti të pandehurin se a e kuptonte për çka ngarkohej dhe si ndihej në lidhje me akuzat.

Ndoja tha se nuk ka ndikuar te votuesit në dobi të Pal Lekajt dhe e ndien veten të pafajshëm.

Në gjykatore fjalën e tyre e thanë si dëshmitarë Shkëlzen Maxhuni dhe Beqë Musa që ditën e zgjedhjeve ishin komisionarë.

“E di që ka ardhur në vendvotim një vëzhguese e AKR-së dhe ka thanë se në korridor janë ka bëhen parregullsi, po ashtu e di se e njëjta ka pasur një fërkim me të akuzuarin kinse ky i ka thënë dikujt a e dini ju se për kënd duhet me votu”, tha Maxhuni.

Arben Ndoja në shkollën e Becit ishte edhe votues i mundshëm, në klasën ku komisionar ishte edhe dëshmitari Maxhuni.

Dëshmitari deklaroi se nuk e di dhe nuk ka dëgjuar se i akuzuari i ka thënë dikujt se duhet ta votojë Pal Lekajn.

Të njëjtin rrëfim e përsëriti edhe Beqë Musa.

“Në ditën e votimit ne shkollën e Becit ka pasur një fërkim mes një vëzhguese te AKR –së dhe këtu të akuzuarit, kinse ky i ka ndihmuar dikujt me votu”, tha Musa.

Musa tregoi se në shkollën e Becit Arben Ndoja votoi bashkë me nënën dhe gruan e xhaxhait të tij.

Edhe ai si Maxhuni mohoi të ketë dëgjuar se i akuzuari ka “lobuar” për Pal Lekajn.

Seanca e radhës lidhur me këtë rast do të mbahet në qershor, pasi të sigurohen dëshmitarët tjerë, sidomos dëshmitarja kyçe- vëzhguesja e AKR –së Veprore Emra.