Kamera e sigurisë, Foto: Freepik
Agjencia gjen parregullsi te kamerat e sigurisë në një shkollë në Gjakovë
Njëra nga shkollat e Gjakovës kishte vendosur kamera të sigurisë mirëpo një inspektim i Agjencisë për Informim dhe Privatësi ka konstatuar se vëzhgimi nuk ishte kryer konform Ligjit për privatësi.
Agjencia për Informim dhe Privatësi në fillimin e muajit qershor të vitit 2023 ka konstatuar se Shkolla e Mesme e Lartë “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë ka bërë shkelje të të drejtës së privatësisë në rastin e vëzhgimit me kamerë në objektin e kësaj shkolle.
Sipas një ankese që ishte deponuar në Agjencinë për Informim dhe Privatësi ishte ngritur si çështje vendosja e sistemit të kamerave nga Shkolla në fjalë, e cila mbulonte pamje si brenda ashtu edhe jashtë objektit.
Ankuesi kishte pretenduar se kamerat që mbulonin hyrjen e shkollës kapnin në pamje edhe zyrën e tij.
Pas daljes në inspektim në vendin e ngjarjes, Agjencia kishte vërtetuar pretendimin e ankuesit. Agjencia kishte konstatuar se Shkolla e Mesme e Lartë, nuk kishte as vendim për instalimin e sistemit të vëzhgimit me kamera, ndërsa ndodhej shenja paralajmëruese se vendi mbikëqyret nga kamerat.
Gjë për të cilën edhe të njëjtin subjekt, Agjencia e ka obliguar që të nxjerrë një vendim të tillë.
Tutje, Agjencia e ka urdhëruar shkollën që përpunimin e të dhënave personale me anë të vëzhgimit të kamerave ta bëjë vetëm brenda perimetrit të shkollës.
Në kontestin e mbrojtjes së të dhënave personale vëzhgimi me kamerë nënkupton marrjen dhe ruajtjen e të dhënave vizuale ose të tjera nga vendet e vëzhguara, ku personat fizikë lëvizin përmes sistemit të instaluar të vëzhgimit me kamerë.
Agjencia specifikon se për instalimin e sistemit të vëzhgimit me kamerë duhet të merret vendimi nga nëpunësit kompetent ose nga drejtori ose ndonjë person tjetër i autorizuar, e në këtë vendim domosdoshmërisht duhet të specifikohen arsyet për vendosjen e vëzhgimit me kamera.
Sa i përket kohëzgjatjes për ruajtjen e imazheve që këto kamera regjistrojnë, duhet të jetë një muaj, në raste specifike ky afat edhe mund të zgjatet për qëllime legjitime.
Instalimi i kamerave të sigurisë duhet të kryhet sipas rregullave ligjore dhe vendosja e tyre pa kritere mund t’i ndëshkojë bizneset edhe me gjoba serioze.
Në këtë link mund të lexoni më shumë për vendosjen e kamerave të sigurisë.