Ilustrim

Rreziku nga kamerat biometrike dhe kamerat e sigurisë në Kosovë

Të vendosura në çdo zonë dhe në çdo qoshe, kamerat e pakontrolluara të sigurisë në vazhdimësi cenojnë privatësinë e qytetarëve të Kosovës.

Më të rrezikshmet vlerësohen ato biometrike dhe kamerat që marrin zërin dhe janë të vendosura në hapësira publike.

Të dhënat e Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP) tregojnë që gjatë vitit 2022 në 107 raste kjo Agjenci ka arritur të konstatojë se kamerat e sigurisë përpunonin të dhëna në kundërshtim me ligjin, ndërsa në 10 raste ishin vetë institucionet ato që nuk i kishin respektuar standardet e vendosjes siç duhet të kamerave.

Sipas ligjit, në hapësirat publike kamerat e sigurisë guxojnë të kontrollohen vetëm nga Policia e Kosovës, ndërsa ky standard ishte shkelur nga 10 komuna të cilat u obliguan t’i bartin linjat e kontrollit te Policia vetëm pas kontrollit të Agjencisë.

Në raportin e Agjencisë përshkruhet se parregullsi u hasën në Komunën e Prishtinës, Graçanicës, Gjakovës, Pejës, Fushë-Kosovës, Mamushës, Junikut, Istogut, Parteshit dhe Ranillugut. Ndërsa komunat u obliguan t’i fshijnë të dhënat dhe t’i bartin linjat te Policia.

Teknologjia e skenimit biometrik kopjon të dhëna përmes fotografisë, videos dhe shenjave të gishtërinjve për t’i identifikuar njerëzit me softwer kompjuterik. Një teknologji e tillë përdoret te pasaportat biometrike dhe letërnjoftimet biometrike ndërsa përdorimi i gjerë i kësaj teknologjie është i ndaluar për shkak se grumbullon shumë të dhëna personale.

Përkundër faktit që kamerat e kësaj natyre janë të kufizuara, në të paktën tri raste ato janë hasur duke u përdorur në Kosovë.

Në inspektimet e Agjencisë është konstatuar se te tri ndërmarrje, dy prej të cilave publike, këto kamera apo paisje të ngjashme kanë qenë të vendosura.

Njëri nga rastet është Telekomi i Kosovës, i cili kishte vendosur  sistemin e kontrollit të gishtrinjëve  për të mbikëqyrur mbarëvajtjen e punëtorëve në punë.

Pas inspektimit të Agjencisë këto pajisje janë eliminuar.

Sipas komisioneres së Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva Dërmaku, shkeljet e kësaj natyre cilësohen serioze dhe duhet të eliminohen menjëherë nga institucionet përgjegjëse ndërsa materialet shkatërrohen menjëherë.

Në mbikëqyrjen e të dhënave personale kamerat e sigurisë janë listuar si problemi kryesor edhe në raportin e Agjencisë.

Aty konstatohet se në 107 raste kamerat e vendosura nga bizneset dhe institucionet ishin gabim.

Në listën e bizneseve të inspektuara gjatë vitit, ku janë zbuluar parregullsi renditen markete, kafene, restorante, barnatore, qendra të ndryshme të shëndetit e deri te ministritë.

Njëra nga shkeljet e rëndësishme të hasura në këto inspektime është edhe përdorimi i kamerave me audio.

Sipas inspektorit Arbian Arifi, kamerat të cilat incizojnë zërin në hapësira publike janë të ndaluara dhe ato nuk mund të përdoren. Ai ka pranuar se në disa raste publike siç ishte një rast në Gjilan kamerat e sigurisë kishin regjistruar edhe zërin.

Inspektori shpjegon se gjatë kontrolleve në shumicën e lokaleve kanë gjetur se ato tejkalojnë hapësirën të cilën e kanë përcaktuar për t’u monitoruar ndërsa në raste janë hasur kontrolle të paautorizuara.

Njëri nga shembujt është kontrolli i kamerave nga distanca nëpërmjet telefonit, veprim ky që është i ndaluar sipas rregullave të privatësisë.

Komisionerja Krenare Sogojeva Dërmaku rikujton që monitorimi nga telefoni është i ndaluar.

Agjencia për Informim dhe Privatësi ka dhënë këshilla se si mund të bëhet instalimi i kamerave të sigurisë në pronat private, biznese, por edhe ndërtesa të banimit në Kosovë.

Në secilin rast qytetarët duhet t’i kenë parasysh disa kufizime dhe specifika që janë për vendosjen e kamerave.

AIP po ashtu ka sqaruar se në rast të vendosjes së kamerave të sigurisë, nuk lejohet incizimi i zërit.

“Si rregull nuk lejohet të instalohet sistemi i video-vëzhgimit, i cili mund të regjistrojë edhe zërin.  Pasi që qëllimi kryesor i instalimit të vëzhgimit me kamerë është siguria e njerëzve dhe pasurisë, që nënkupton se regjistrimi i zërit është joproporcional për këtë qëllim dhe mbizotëron ndaj lirive dhe të drejtave themelore të subjektit të të dhënave” – thuhet në sqarim.

Që një qytetar të vendosë kamerë të vëzhgimit në pronën e tij private nuk duhet të pajiset me leje nga AIP.

Sipas AIP, është e nevojshme të plotësohen kriteret që parashihen në ligj.

“Duhet të vendoset një shenjë paralajmëruese se hapësira e caktuar ndodhet në video-vëzhgim dhe se kjo shenjë duhet të jetë e dukshme që t’u mundësojë personave të tjerë të njoftohen me masat. Gjithashtu duhet të keni kujdes që pamjet e marra nga vëzhgimi me kamerë mos të kalojnë perimetrin e pronës tuaj private” – thuhet në sqarimin e AIP.

AIP ka treguar edhe për kriteret që duhet të zbatohen për sistemin e video-vëzhgimit me kamerë në ndërtesa me apartamente.

Këto kritere janë si në vijim:

– Për instalimin e sistemeve të vëzhgimit me kamerë në objekte banesore, kërkohet paraprakisht pajtimi me shkrim i së paku shtatëdhjetë për qind (70%) të banorëve;

– Vëzhgimi me kamerë mund të instalohet vetëm nëse kjo është e domosdoshme për sigurinë e njerëzve dhe sigurimin e pronës;

– Duhet të vendosen shenjat njoftuese, të cilat duhen të jenë të dukshme dhe të përmbajnë të dhënat e kontrolluesit;

– Vëzhgimi me kamerë në ndërtesën me apartamente mund të mbikëqyrë vetëm hyrjen dhe hapësirat e përbashkëta dhe jo hyrjet e apartamenteve. Ndalohet mbikëqyrja me kamerë e apartamentit të shtëpiakut të ndërtesës dhe punëtorisë së tij/saj;

– Transmetimi përmes televizionit kabllor të brendshëm, televizionit publik kabllor, internetit ose mjeteve të tjera të telekomunikimeve, pa marrë parasysh nëse bëhet në kohën e transmetimit apo më vonë, është i ndaluar.

– Pamjet e regjistruara nga sistemi i vëzhgimit duhen mbrojtur nga qasja apo/dhe përdorimi i paautorizuar dhe të njëjtat nuk ruhen më gjatë se një (1) muaj (përveç nëse kërkohet për qëllime legjitime);

Agjencia për Informim dhe Privatësi ka dhënë sugjerime edhe për kriteret që duhet zbatuar për vendosjen e kamerave të sigurisë në biznese. Sipas Agjencisë, vendosja e kamerave duhet të bëhet në bazë të Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, i cili ka paraparë që kohëzgjatja e ruajtjes së këtyre regjistrimeve të jetë më së shumti një (1) muaj, përveç nëse kërkohen ndryshe për qëllime legjitime.

Pronari që dëshiron të vendosë kamera të sigurisë në biznesin e tij, sipas AIP duhet t’i marrë këto veprime:

– Të bëni vlerësimin se është e nevojshme vendosja e kamerave dhe nuk mund të arrihet me mjete të tjera, si p.sh.: duke vendosur një ndriçim më të madh;

– Të merrni vendim për instalimin e sistemit të vëzhgimit me kamerë ku do të përshkruani qëllimin e vendosjes, numrin e kamerave, të caktoni personin përgjegjës dhe kohëzgjatjen e ruajtjes së regjistrimeve (vini re, Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale ka paraparë që kohëzgjatja e ruajtjes së këtyre regjistrimeve të jetë më së shumti një (1) muaj, përveç nëse kërkohen ndryshe për qëllime legjitime);

– Të vendosni shenja paralajmëruese të cilat duhen të jenë të dukshme dhe të përmbajnë të dhënat e kontrolluesit (biznesit);

– Të kujdeseni të instaloni këtë sistem në pjesën e jashtme të objektit dhe në hyrje të objektit, por jo edhe në brendësi të zyrave (përjashtim nga kjo bëjnë zyrat ku për shkak të natyrës së punës, ekziston rreziku potencial për të punësuarit);

– Duhet të njoftoni në mënyrë të duhur me shkrim të punësuarit lidhur me sistemin e vëzhgimit me kamerë dhe me të drejtat e tyre;

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) është agjenci e pavarur, përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për qasje në dokumente publike dhe Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, me qëllim që të mbrohen të drejtat dhe liritë themelore të personave fizikë, në lidhje me përpunimin e të dhënave personale, si dhe garantimin e qasjes në dokumente publike.

 

Ky artikull hulumtues është përgatitur si pjesë e projektit “Rritja e Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Agjendën Digjitale – ICEDA” me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian si dhe të rrjetit South East Europe (SEE) Digital Rights Network.
Përmbajtja e këtij artikulli hulumtues është përgjegjësi e vetme e Open Data Kosovo dhe e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyrojnë qëndrimet e Bashkimit Evropian, apo të rrjetit SEE Digital Rights Network.