Aktivitete në Ditën e Mjedisit - Foto: KALLXO.com

FOTO: Në Ditën e Mjedisit mbillen drunj e largohen deponi mbeturinash

Me aktivitete të ndryshme është shënuar sot në 26 komuna të Kosovës Dita Ndërkombëtare e Mjedisit.

Moto e aktiviteteve për nder të kësaj dite ishte “Ta pastrojmë dhe gjelbërojmë Kosovën”.

Aksioni është përkrahur nga ndërmarrjet publike të pastrimit të mbeturinave, kompani private, FSK-ja dhe mbi 10 mijë vullnetarë.

Aksioni ka filluar në Podujevë dhe ka vazhduar në qytete të tjera.

‘Lagjja 029’ në Fushë Kosovë ishte njëra nga lagjet që u pastrua në kuadër të kësaj dite.

Në Obiliq, ndërkaq, është hequr një deponi e mbeturinave te Lagjja e Romëve.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin ministrja e Mjedisit, Albena Reshitaj, oficerë të FSK-së, kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Christian Heldt, organizata të ndryshme e nxënës të shkollave fillore.

“Ne kemi fillu një kampanjë në gjithë Republikën e Kosovës – “Ta pastrojmë dhe gjelbërojmë Kosovën” dhe sot në ditën e Mjedisit kemi vendosur të vijmë pikërisht këtu, me një qëllim të përbashkët që të japim një mesazh në një vend pikërisht si ky, i cili është më i ndotur se shumë vende tjera, të japim një mesazh pikërisht në ditën e mjedisit që ne jemi të përkushtuar edhe si institucione por edhe si shoqëri civile që të pastrojmë dhe gjelbërojmë vendin tonë dhe të ndikojmë në mirëqenie të qytetarëve, do rrisim cilësinë e jetës së qytetarëve”, tha ministrja Reshitaj.

Ministrja Reshitaj ka falënderuar të gjithë ata që ishin pjesë e kësaj kampanje dhe që kanë ndihmuar për ta pastruar e gjelbëruar Kosovën.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, tha se është e vërtetë që komuna që ai e drejton njihet si njëra nga komunat më ndotura në Kosovë, për disa arsye: deponia regjionale, termocentralet e minierat.

Gashi bëri thirrje që të ruhet bashkërisht ambientin dhe shëndetin.

Në aksionin që është zhvilluar sot kanë marrë pjesë edhe pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Zëvendëskomandanti Enver Cikaqi tha se FSK si njërën nga aktivitetet kryesore gjithmonë e ka pasur mbështetjen e komunave dhe institucioneve qendrore në projekte të ndryshme humanitare,  të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve .

“Në këtë drejtim Forca e Sigurisë së Kosovës, që nga themelimi i saj ka me dhjetëra projekte të cilat kanë ndikuar dhe kanë krijuar hapësirë dhe ambient më të pastër për qytetarët tanë”, tha Cikaqi.

Sipas tij, komuna e Obiliqit është dhe do të mbetet si njëra nga komunat më me prioritet për FSK-në.

Në manifestimin qendror, i cili u mbajt në Obiliq ishte i pranishëm edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt.

Ai tregoi për rëndësinë që ka pjesëmarrja e tij në aksione të tilla.

“Do doja ta theksoj se sa e rëndësishme është kjo për mua si ambasador i Gjermanisë. Gjermania ka qenë gjithmonë aktive në fushën e menaxhimit të mbeturinave për shumë vite në qeverinë tuaj”, tha ambasadori Heldt.

E përfaqësuesi i organizatës “Let’s Do it Kosova”, Luan Hasanaj, tha se po ndihet mirë pasi që disa deponi të cilat kanë qenë më herët aty janë hequr.

“Kjo do të thotë se qytetarët këtu kanë filluar të vetëdijesohen, se duhet të kujdesen për mjedisin e gjithashtu edhe institucionet kanë filluar të veprojnë pak më mirë dhe ato lokacione vazhdojnë të jenë të pastra”, tha Hasanaj.

Pas fjalimeve ministrja Albena Reshitaj u ka dhënë mirënjohje të gjithë atyre që kanë kontribuar në aksionet e pastrimit gjatë ditës së sotme.

Pas përfundimit të këtij manifestimi, ministrja e Mjedisit dhe bashkëpunëtorët që ndihmuan këtë kampanjë mbollën drunj në hapësirat e kësaj lagjeje.