Reshitaj e akuzon Golën se ja mori amandamentin për mbështetje të Universitetit të Prishtinës
Deputetja e AAK – së Albena Reshitaj ka akuzuar deputetin e LVV-së, Ardian Gola se ai e ka përvetësuar amandamentin e saj për të ndarë mjete për Universitetin e Prishtinës në kuadër të buxhetit për vitin 2024.
Reshitaj tha se propozimi për këtë amandament ka ardhur nga ajo fillimisht dhe është propozuar në komision.
Ndërsa sot gjatë kohës së protokollimit e ka pa që amandamenti është paraqitur në emrin e Golës.
“I them kolegut dhe kryetarit të komisionit për arsim, nuk është mirë me provu amandamente të propozuar nga të tjerët me i përvetësu në mënyrë individuale se nuk i bën nder as atij. Ky propozim ka ardhë pas takimit me përfaqësues të UP-së të indinjua nga zvogëlimi i buxhetit. Ky propozim ka ardh fillimisht nga unë, është përkrahur nga një pjesë e kolegëve brenda komisionit, dhe ne kemi mendu ta paraqesim si amandament të komisionit. Është hesht dhe nuk është leju në atë mënyrë. Në momentin kur u detyrova me paraqit si amandament personal, kur shkova ta protokolloj e pash një amandament personal të kryetarit”- ka thënë ajo.
Lidhur me ketë çështje, është përgjigjur deputeti Gola i cili ka thënë se kjo nuk është ide gjeniale për t`u vjedhur apo përvetësuar.
“Arsyeja pse nuk e ka procesu si amandament të komisionit është sepse kolegët e mi bashkpartiak mos me i vendos të pozitë të pa lakmueshme. Nëse duhet me u dhënë ide për amendamentin për rreth universitetin nuk është ide gjeniale që kërkon me u vjedh, është mënyra me banale e të rezonuarit politik dhe intelektual”- ka thënë ai.
Gola gjatë prezantimit të amandamentit tha se Universiteti i Prishtinës meriton mbështetje qoftë simbolike.
Ai tha se kërkesa e tij për mbështetje me të holla, nuk i destabilizon projeksionet buxhetore pasi të njëjtat do të merren nga kontigjencat.
Ky amandament, i 23- ti me radhë, nuk ka marrë mbështetjen e nevojshme të deputetëve në Kuvend.
“15 pro, 42 kundër, 5 abstenime nuk kalon amandameti i deputetit Gola”- tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.