Festivali ‘ReMusica' nis nesër në Prishtinë

Me moton, “Guxo të dashurosh” do të nisë nesër në mbrëmje në Prishtinës edicioni i 18-të i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës, “ReMusica”

Edicioni i sivjetëm i këtij festivali do të hapet me koncertin e trion kitarsite, “Guitar Trio Elogio” në përbëjnë të Tomisllav Vukshiq, Pedro Ribeiro Rodrigues, Petrit Çekut, që do të mbahet nesër në ora 20:00 në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë.

Gjatë një konference të mbajtur sot për media organizatorët shpalosën programin e këtij festivali, i cili do të mbahet deri më 2 qershor.

Drejtoresha artistike e festivalit Donika Rudi ka thënë ndër të tjera se përpos agjendës së mbushur koncertale, emra të njohur të skenë së muzikës së huaj dhe shqiptare, sikurse trio e kitarave “Elogio”, pastaj Thomas Leleu, apo duoja atraktive nga Austria,Vira Zhuk dhe Mariam Vardzelashvili, etj, gjatë “ReMusicas” nuk do të mungojnë masterklaset, ligjëratat si dhe tribuna muzikologjike.

“Gjatë këtij festivali do të prezantohen ansamble të ndryshme kamertale dhe solistëve eminentë, duke synuar që programi i prezantuar, të bëhet urë lidhëse në mes tendencave novatore që shfaqen në skenën koncertore evropiane dhe publikut tonë prishtinas”, ka potencuar Rudi.

Sipas saj, do të ketë edhe artist nga Shqipëria që do të sjellin projektin e veçantë, por siç ka thënë ajo, nuk do të mungojë edhe preformimi i korit dhe orkestrës simfonike të Filharmonisë.

 

Petrit Çeku

Ndërsa kitaristi kosovar me famë botërore Petrit Çeku ka çmuar festivalin duke thënë se ky festival tashmë ka arritur nivel të larta dhe është privilegj që merr pjesë në një festival prestigjioz, i cili, siç ka thënë ai, ka bërë emër edhe jashtë vendit.

“Falë edhe këtij festivali unë vij në Prishtinë, në kuptimin profesional. Ne për këtë edicion do të prezantohemi me vepra të kompozitorëve të njohur, ndër ta edhe me një vepër të Rafet Rudit”, ka thën  Çeku ndër të tjerash.

Edhe kitaristi tjetër i trios së kitarave, “Elogio”, portugezi, Pedro Ribeiro Rodrigues ka thënë fjalë të mira për festivalin, ndërsa ka thënë se trioja “Trio Guitar Elegio” vlerëson ftesën për preformim në një festival të tillë.

Pedro Rodrigues

Kurse, Viktor Berisha producent i festivalit ka thënë se edicioni i 18-të i këtij festival bart një mesazh të veçantë, “Guxo të dashurosh”, një mesazh sipas tij, që bën thirrje për t`ju kthyer asaj që njerëzit i janë larguar si rezultat i zhvillimeve globale, dashurisë.