Enver Hamiti, dekan i rizgjedhur i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike

Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike e Kompjuterike Votoi Dekanin

Profesori Enver Hamiti është zgjedhur edhe për një mandat tjetër  në postin e dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike pa kundërkandidat.

Në procesin e votimit të monitoruar nga KALLXO.com, Hamiti u zgjodh me shumicë votash nga anëtarët e stafit akademik dhe administrativ.

“Ka ekzistuar një traditë e një rendi të qëndrueshëm akademik dhe krejt çka kemi bërë është që ta vazhdojmë atë traditë dhe në mënyrë akademike t’i udhëheqim krejt proceset, përfshirë edhe këtë zgjedhor. Besoj se është ruajtur tradita dhe ka shkuar si më së miri”, tha Hamiti për KALLXO.com pas rizgjedhjes.

Sipas tij, mandati i dytë ka ardhur jo me një vullnet të plotë nga ana e tij.

Por tani që është zgjedhur ta drejtojë fakultetin ai u shpreh i gatshëm të vazhdojë.

“Ishte vullneti i stafit akademik dhe administrativ që unë të vazhdoj edhe një mandat dhe gjithçka është në përputhje me rregulloren megjithëse dorën në zemër s’ka qenë vullnet i imi personal, por meqë ishte vullnet i shumicës po e pranoj një angazhim të mëtutjeshëm”, tha ai.