Zenun Halili

Zenun Halili 'përjashtohet' nga gara për rektor të Universitetit të Prishtinës

Komisioni Profesional për Listën e Kanditatëve të Propozuar për Rektor të Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina” ka marrë vendim që të nxjerrë jashtë gare për këtë pozitë, profesorin e Fakultetit Filozofik Zenun Halilin.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar anëtari i këtij komisioni, Kurtesh Sherifi.

Sherifi tha se një vendim i tillë është marrë për arsye të parandalimit të konfliktit të interesit, pasi që Sherifi ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të UP-së dhe se duhen dy vjet që ai të pres për të konkuruar për pozitën e rektorit.

“Është arsyeja e konfliktit të interesit, Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit e ka paraparë që udhëheqsësit  që kanë qenë vartës të një institucioni deri në dy vjet nuk mund të aplikojnë, këtë ligji e thotë. Ai deri tash ka qenë  anëtar i Këshillit Drejtues ka dhënë dorëheqje tash po don me u bo rektor, ndërkohë ligji nuk e lejon, dy vjet ëshë dasht me prit për me apliku. Kjo është arsyeja kryesore, dhe ne e kemi nxjerr nga ligji e kemi interpretu edhe e kemi marrë këtë vendim në mënyrë unanime. Ne e kemi nxjerrë edhe raportin, nesër besoj që bëhet edhe publik ”, tha ai.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me Zenun Halilin, por i njëjti nuk ka pasur qasje.

Zenun Halili kishte dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të Këshillit Drejtues të Universiteti të Prishtinës, për t`iu futur garës për të parin e këtij unversiteti.  Halili ishte emëruar si anëtar i Këshillit Drejtues të UP-së më 30 tetor të vitit 2019.

Në garë për pozitën e Rektorit të Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”, janë: Blerim Rexha, Faton  Berisha dhe Naser Sahiti.