Zenun Halili

Ish-kandidati për deputet i AAK-së synon postin e rektorit të UP-së

Më 1 tetor 2020 Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” pritet që të bëhet me rektor të ri.

Kjo gjë ka bërë që anëtari aktual i Këshillit Drejtues të UP-së, Zenun Halili të japë dorëheqje nga kjo pozitë, për të synuar postin e rektorit të këtij universiteti.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com vet Halili.

“Është e vërtetë që kam dhënë dorëheqje nga Këshilli Drejtues, dorëheqje të parevokueshme. Ka një kohë bukur të gjatë që kam filluar konsultimet me stafin akademik të UP-së, me studentët, me drejtues të Universitetit dhe me Këshillin Drejtues, që të shqyrtojmë mundësinë që të garoj për rektor të Universitetit të Prishtinës”, tha Halili.

Sipas tij, ai është ende në fazën e konsultimeve, por beson që me përvojën e tij do të zgjidhet si rektor.

“Jemi ende në fazën e konsultimeve përfundimtare dhe konkursi është shpallur është i hapur deri të enjten, po mendoj ta bindi veten që t’i hyj kësaj sfide që nuk është e lehtë. Mendoj se me përvojën time edhe në ShBA edhe këtu mund të jem një kandidat i denjë për ta çuar UP-në përpara”, shtoi Halili.

Tutje, profesori i Fakultetit Filozofik pret që të dalë fitues nga kjo garë.

“Natyrisht, çdo herë kur i hyj garës pres të fitoj, për atë jam duke u konsultuar me të gjithë personelin akademik me shumicën e dekanëve, që nëse i futem garës do të jem një kandidat konsensual nga universiteti”, tha Halili për KALLXO.com.

Halili ishte emëruar si anëtar i Këshillit Drejtues të UP-së më 30 tetor të vitit 2019. Ai është profesor i asocuar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe studimet i ka kryer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Halili ka qenë edhe shef i Departamentit të këtij fakulteti si dhe kryesues i Këshillit Drejtues të Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka”.

Ai po ashtu ka qenë kandidat për deputet nga partia e Ramush Haradinaj, AAK, në vitin 2014.

Ndërsa, nga viti 2014 deri në vitin 2017, Halili ka shërbyer si Këshilltar i ish-ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami.

Pasuria e deklaruar

Sa ishte anëtar i Këshillit Drejtues të UP-së, Halili ka deklaruar në Agjencionin Kundër Korrupsion pasurinë e tij.

Si pasuri të paluajtshme ai ka deklaruar një banesë në vlerë prej 100 mijë eurosh dhe një shtëpi 450 mijë euro.

Si pasuri të luajtshme ai ka deklaruar një veturë Mercedes GLK 350 në vlerë prej 20 mijë eurosh. Këtë veturë ai ka thënë se e ka dhuratë nga vëllezërit nga ShBA.

Para të gatshme Halili ka deklaruar se i posedon 4 mijë euro në bankën Raiffeisen. Kurse, të hyrat vjetore nga paga e UP-së ka thënë se i ka 14 mijë e 400 euro.

Konkursi për rektor

Universiteti i Prishtinës, “Hasan Prishtina” ka hapur konkursin për rektor të këtij Universiteti.

Konkursi është hapur më 10 korrik dhe do të mbyllet më 24 korrik në ora 15:30. Konkurimi për postin e rektorit do të jetë i hapur për kandidatët e brendshëm dhe të jashtëm.

“Kandidatët duhet të kenë përvojë të dëshmuar në mësimdhënie akademike, kërkim shkencor dhe të ketë gradën e profesorit të rregullt, të profesorit të asocuar ose të profesorit asistent, të ketë përvojë të dëshmuar menaxhuese universitare dhe të mos ketë qenë në pozita udhëheqëse në ndonjë parti politike apo në listë zgjedhore të ndonjë partie politike ose koalicioni në nivel qendror dhe lokal në tri (3) vitet e fundit”, thuhet në konkurs.

Rektori zgjedhet nga nga Këshilli Drejtues nga lista e kandidatëve të propozuar nga Komisioni profesional prej pesë anëtareve të cilin komision e formon Senati.

Kandidatët duhet t`i dorëzojn dokumentet e kompletuara në kopje fizike çdo ditë pune prej orës 9.00 – 15.30 në zyrën nr.1 të ndërtesës së Rektoratit të Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina”, Rr. “Xhorxh Bush”, nr.31, 10 000 Prishtinë – Republika e Kosovës dhe duhet t’i adresohen Komisionit Profesional të Senatit të Universiteti të Prishtinës dhe në formë elektronike (të skanuara) në adresën [email protected].

Emërimi i rektorit bëhet nga 1 tetori deri më 30 shtator të vitit 2024.