Termocentralet e KEK-ut. Foto kortezi: Yll Vuçiterna

Elektroenergjetika rrezikon mbylljen për shkak të mungesës së kuadrove profesionale

Programi i Elektroenergjetikës në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) po vazhdon të jetë në rrezik të mbylljes për shkak të mungesës së profesorëve dhe asistentëve edhe pse energjia në Kosovë po konsiderohet si njëri ndër sektorët më premtues në të ardhmen.

Programi i nivelit master dhe i nivelit të doktoratës në Elektroenergjetikë, sipas vendimit të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, është pezulluar për shkak të mungesës së stafit akademik.

Sipas njërit prej kritereve mbi Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë në Kosovë për secilin program të studimit duhet të ketë të paktën tre anëtarë të stafit akademik në marrëdhënie të rregullt të punës me gradën shkencore doktor shkence.

Edhe dekani i FIEK-ut, Enver Hamiti e ka pranur se ka kohë që po përballen me mungesë të kuadrove akademike sidomos në programin e Elektroenergjetikës.

“Në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike – FIEK, ka kohë që përballemi me mungesë të theksuar të kuadrove akademike në marrëdhënie të rregullt pune, në veçanti në programin e  studimeve në fushën e Elektroenergjetikës (profesorëve dhe asistentëve). Situata në të cilën ndodhemi është si pasojë e shumë rrethanave, nëpër të cilat ka kaluar ky program i studimeve në vitet e pas luftës”, është shprehur Hamiti për Gazetën JnK.

Sipas dekanit Hamiti, pas vitit 1999, interesimi i të rinjve për studime në programin e Elektroenergjetikës kishte rënë shumë, sidomos interesimi i nxënësve me sukses të dalluar, pasi ata që kanë shprehur dëshirën për të studiuar në fushën e Inxhinierinë Elektrike, kryesisht janë orientuar në programet e studimeve, Telekomunikacion dhe Inxhinieri Kompjuterike.

“Një trend i tillë ka zgjatur vite me radhë, andaj është pamundësuar rekrutimi i të rinjve me kualitetet e kërkuara, në cilësi të stafit akademik”, ka deklaruar Hamiti.

Sipas Hamitit, një trend i tillë është përkeqësuar edhe më shumë me kalimin në procesin e Bolonjës, me tri cikle të studimeve (3+2+3), pasi sipas tij, studentëve të cilët përfundonin studimet në nivelin bachelor u ofrohej mundësia për tu punësuar.

“Një situatë e tillë ka reflektuar me zgjatje të studimeve master dhe rrjedhimisht edhe me mungesë të kualitetit  të nevojshëm. Këtë situatë e ka rënduar edhe kriteri i kufizimit statutar të moshës për punësimin e asistentit universitar (Statuti i UP-së, jo më i vjetër se 30 vjeç)”, ka potencuar Hamiti.

FIEK ka qenë i akredituar në katër programe të studimeve në nivel të doktoratës, nga viti 2013 deri në vitin 2016.

Sipas rregullave të akreditimit, për nivelin bachelor Universiteti duhet të sigurojë 3 profesorë, për nivelin master 2 profesorë dhe për nivelin e doktoraturës 2 profesorë.

Akreditimin e fundit për nivelin  e doktoratës në programin e studimeve në Elektroenergjetikë e kanë pasur në vitin 2013 për periudhën trivjeçare, deri në vitin 2016.

Për më tepër, nga viti 2012 janë pensionuar 6 anëtarë të stafit akademik, ndërsa njëri prej tyre ka ndërruar jetë kohë më parë.

“Kështu, gjendja ka vazhduar të përkeqësohet edhe më shumë, por vetëm për nivelin akademik, pasi industrisë i kemi dhënë shumë kuadro dhe i kemi përmbushur në tërësi kërkesat e tyre”, ka deklaruar Enver Hamiti, dekani i FIK-ut për Gazetën JnK.

Por rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Demaj në emisionin Jeta në Kosovë ku është ngritur si çështje rreziku i mbylljes së departamentit të Elektroenergjetikës ka thënë se do të marrin staf akademik edhe nga Universiteti në Tiranë nëse do të kenë mungesë.

“Është edhe një problem, se treg nuk kemi mirëpo kemi organizuar një konferencë me universitete shqiptare, jemi në kontakt që në qoftë se kemi mungesë me marrë edhe universiteteve shqiptare të Tiranës në mënyrë që me funksionu”, ka deklaruar Demaj.

Rritja e interesimit te nxënësit përmes bursave

Për të ngritur interesimin e të rinjve për të studiuar në këtë program të studimeve, nga viti 2007, dekani Hamiti ka thënë se Ministria e Energjisë së bashku me CEZ, disa vite me radhë ka dhënë bursa për studentët me të mirë, të cilët janë regjistruar në këtë program të studimeve, duke mos anashkaluar edhe programet tjera në FIEK, por me numër më të vogël.

Pastaj, traditën për dhënie të bursave për studentë e ka vazhduar për disa vite me radhë edhe Operatori i Sistemit, Transmetimit dhe Tregut – KOSTT, i cili ka dhënë bursa nga viti 2010 deri në vitin 2015.

“Aktualisht, kompania KEDS organizon akademinë e vet në këtë fushë, në të cilën përfshihen gati të gjithë studentët e këtij programi. Shumica e këtyre kandidatëve punësohen në fazat e mëvonshme”, ka thënë dekani Hamiti.

Në Departamentin e Elektroenergjetikës në vitin akademik 2017-2018 në nivelin bachelor nga muaji tetor i vitit 2017 deri në mars të vitit 2018 kanë diplomuar 20 studentë. Në nivelin master kanë diplomuar  8 studentë kurse në nivelin e studimeve të doktoratës asnjë student.

Numri i studentëve të regjistruar në programin Elektroenergjetikë në nivelin bachelor, viti akademik 2013-14 – 97 studentë, viti akademik 2014-15 – 140, viti akademik 2015-16 – 121 studentë dhe viti akademik 2016-17 – 90 studentë.

Enver Hamiti më herët gjatë vitit për Gazetën JnK ishte shprehur se interesimi i studentëve për programin e studimeve të Elektroenergjetikës vitet e fundit ka filluar të rritet, por nuk ka arritur  në nivelin të cilin e dëshirojnë.

Sipas dekanit Hamiti, numri i studentëve që aplikojnë në konkurs, gati çdo herë është më i vogël ose në disa vite i barabartë me numrin e studentëve që janë kërkuar me konkurs për atë vit akademik.

“Numri maksimal i të interesuarve asnjëherë nuk e ka kaluar shumë numrin e studentëve të cilët i kemi kërkuar. Numri maksimal i të interesuarve ka qenë në vitin akademik 2014-15”, kishte theksuar Hamiti për Gazetën JnK në prill të këtij viti.

Çështja e mbylljes së programit të Elektroenergjetikës ishte ngritur si problem gjatë Forumit të 3-të të Energjisë që u mbajt në muajin mars në Prishtinë me ç’rast ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka u shpreh se nuk ishte në dijeni për këtë.

“Nuk jam në dijeni. Nëse kjo është e vërtetë është shqetësuese. Nga tash do ta ketë vëmendjen time. Duhet të bëjmë një analizë se pse ka ardhë deri te kjo. Do të ishte gabim që drejtime të tilla të mbyllen. Do ta shqyrtoj me seriozitet në takim me rektorin”, ishte përgjigja e ministrit Lluka kundrejt këtij shqetësimi të ngritur në Forumin e 3-të Energjisë.

Disa ditë pas Forumit të 3-të të Energjisë, ministri Lluka ka vizituar Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe është takuar me dekanin Enver Hamiti me ç’rast ka ofruar mbështetje për studentët të këtij fakulteti.

Lluka ka thënë se për momentin nuk ka ndonjë zgjidhje për mungesën e profesorëve por ai ka ofruar një zgjidhje që të ketë interesim më të madh nga nxënësit për t’u regjistruar në drejtimin e Elektroenergjetikës.

“Përderisa nuk kam ndonjë zgjidhje të shpejtë për rritjen e numrit të profesorëve, përveç rekrutimit nga shtetet e huaja, për studentët nga ana tjetër, në mënyrë që të rrisim interesimin, kam filluar të shikoj mundësitë për të siguruar 40 bursa për të mbuluar shpenzimet e jetesës në Prishtinë gjatë 3 viteve të studimit, duke shpresuar që kjo do të ndikojë pozitivisht”, ka thënë ministri Lluka.

Ai ka theksuar se është e papranueshme që të vijmë në një situatë ku Kosova duhet të importojë fuqi punëtore të kësaj fushe për të mbuluar nevojat.

Gjatë takimit të përbashkët me dekanin e FIEK-ut janë pajtuar që gjatë kohës së përgatitjes së planprogramit mësimor të koordinohen së bashku.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik do të angazhojë ekspertë të huaj dhe vendorë për të inkuadruar në program të gjitha nevojat e industrisë, sipas strategjisë për energji 2017 – 2026 që sapo është aprovuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Zgjidhja e problemit me mungesë të kuadrove

Dekani i FIEK-ut, Enver Hamiti ka thënë se me qëllim që të mos arrihet në situatën e tanishme, në mënyrë të vazhdueshme, në të gjitha konkurset për punësimin e stafit të ri akademik, të cilat janë shpallur nga Universiteti i Prishtinës sipas kërkesave të njësisë akademike, pozicionet për programin e Elektroenergjetikës kanë qenë të vazhdueshme dhe me prioritet të ndarë.

Në pyetjen e Gazetës JnK se pse profesorët nuk lënë pasardhës në pozitat e tyre, Hamiti është përgjigjur se procedura e punësimit të asistentëve dhe mësimdhënësve të rinj në UP,  nuk është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e mësimdhënësve.

“Për më tepër, është konflikt serioz interesi, nëse do të kishte ndonjë ndërhyrje dhe favorizim të cilitdo kandidat potencial. Planifikimi i kuadrove të reja, qoftë për asistentë ose profesorë, planifikohet dhe inicohet në njësinë themelore organizative të fakultetit përkatës (departament), varësisht nga kërkesat e programit”, ka potencuar Hamiti.

Ai ka shpjeguar se procesi tutje trajtohet nga Këshilli i fakultetit dhe në rast se ekziston arsyeshmëri e plotë për kërkesat e departamentit, çështja i procedohet Senatit të Universitetit, për vendimmarrje dhe hapje të konkursit publik.

“Kjo është ajo që mund të bëhet sa i përket rekrutimit të stafit të ri akademik. Kështu, në të gjitha rastet kur UP ka hapur konkurse, pozicionet për programin e Elektroenergjetikës kanë qenë të pashmangshme dhe me prioritet të veҫantë, pavarësisht kufizimeve nga Ministria e Financave”, ka deklaruar Hamiti.

Përveç kësaj ai ka thënë se duke e parë kompleksitetin e situatës, pavarësisht nga departamenti, disa herë i ka ftuar në bisedë të drejtpërdrejtë të gjitha kuadrot e kësaj fushe (të punësuar në KOSTT, KEDS, KEK, Aeroport, etj.), të cilët janë të angazhuar po ashtu në marrëdhënie jo të rregullt pune në këtë program.

“Kërkesa ime ka qenë që të paraqiten në konkurset tona dhe të themelojnë  marrëdhënie të rregullt pune, në mënyrë që të mos rrezikohet kontinuiteti i programit.  Asnjëri nga këta kandidatë potencial, nuk ka treguar interesim për të ndihmuar, sepse përfitimet financiare dhe të tjera i kanë pasur shumë më të mëdha se në UP”, ka thënë Hamiti.

Por sipas Hamitit problemi qëndron aty se aktualisht, pjesa dërmuese e tyre tashmë nuk e plotësojnë kriterin e moshës dhe nuk mund të përzgjidhen për të themeluar marrëdhënie të rregullt pune.

“Si pasojë e këtij procesi, megjithëse konkurset janë hapur në vazhdimësi (me disa periudha të kohëpaskohshme të problemeve, si pasojë e ndryshimeve në menaxhmentin e UP-së), ne nuk kemi arritur të gjejmë të interesuar për këtë program, sipas kritereve të statutit të UP-së”, është shprehur ai.

Në konkursin e fundit, janë pranuar vetëm dy asistentë të cilët i kanë plotësuar kushtet sipas statutit të UP-së. Në konkurs është paraqitur edhe një kandidat tjetër, i cili sipas Hamitit nuk i ka plotësuar kushtet minimale sipas statutit të UP-së.

Nga ky konkurs janë pranuar edhe dy asistentë dhe një profesor edhe pse ka pasur kufizime nga Ministria e Financave për vetëm 6 pozicione për të gjithë stafin akademik të FIEK-ut.

“Po theksoj në mënyrë të veçantë, përveç, një kandidati që ka plotësuar kushtet statutare dhe është zgjedhur në thirrje të profesorit, kanë ekzistuar edhe dy aplikacione tjera, por që nuk ka plotësuar asnjë nga kriteret e kërkuara minimale statutare për zgjedhje në thirrje akademike. Gjithashtu, për fatin tonë të keq, njëri nga kandidatët e pranuar (asistent) nuk ka nënshkruar kontratë pune, pasi ka vazhduar studimet e doktoratës jashtë vendit”, ka treguar Hamiti për Gazetën JnK.

Në departamentin e Elektroenergjetikës janë dy profesorë dhe një asistent në marrëdhënie të rregullt pune, të cilëve u shtohen edhe dy profesorë dhe një asistent i lëndëve të përgjithshme të inxhinierisë.

“Ky staf, aktualisht siguron funksionimin e programit në nivelin Bachelor dhe duket se për një kohë të shkurtë nuk do të ketë mundësi që të përmirësohet situata”, ka përfunduar dekani Hamiti.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Demaj në emisionin Jeta në Kosovë ka deklaruar se momentalisht disa programe, ndër ta edhe Elektroenergjetika janë të pezulluara ndaj aktiviteteve por që janë duke u përgatitur për riakreditimin e tyre.