Padi private për pronarin e gazetës “Kosova Sot”

 

Sipas kësaj prokurorie, pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore, ekspertizave, mendimeve të ekspertëve, nuk janë gjetur prova se Ruzhdi Kadriu është përgjegjës për këtë vepër penale, ngase lëshimet e punëdhënësit të cekura në ekspertizë, përkatësisht në super-ekspertizë i përkasin lëmisë civile.

Meqë prokurori është tërhequr nga aktakuza, në bazë të nenit 62, paragrafi 2 i KPPK-së, i dëmtuari Lulzim Rexha, nga fshati Prekaz, komuna e Skenderajt, ka vazhduar ndjekjen si paditës subsidiar.

Me të filluar seanca, avokati mbrojtës i të paditurit Ruzhdi Kadriu, avokati Muzafer Maliqi kërkoi nga gjykata që t’i dorëzohen të gjitha provat që i janë bashkangjitur padisë. 

Në veçanti, avokati ka theksuar nevojën e vërtetimit të ditës kur paditësi është njoftuar nga Prokuroria Publike Komunale në Prishtinë për pushimin e procedurës ndaj të paditurit dhe udhëzimin e të dëmtuarit, tani paditësit, që të parashtrojë padi subsidiare brenda afatit ligjor prej 8 ditëve. Sipas tij, avokati i tij nuk ka ardhur, sepse ai e di që paditësi subsidiar ka humbur çdo afat të mundshëm.

Lulzim Rexha deklaroi se ka ardhur pa avokatin Hasan Jashari. Ai deklaroi se avokatin e ka njoftuar me kohë dhe nuk i di arsyet e mosprezencës së tij. Rexha, akuzonte pronarin e Interpress R. Company për shkaktimin e rrezikimin e sigurisë në punë. Paditësi para tre vjetësh kishte humbur dorën gjatë kryerjes së punëve për kompaninë e Kadriut. 

Gjykata solli aktvendim me të cilin seancën e sotme e shtyri për datën 15 nëntor. Kjo, sepse avokati mbrojtës i paditësit subsidiar nuk është prezent dhe se paditësi subsidiar nuk ishte në gjendje të paraqiste vetë padinë subsidiare. 

Po ashtu, kjo seancë u shty pasi që gjykata zyrtarisht do të kërkojë nga prokuroria dëshmi se kur iu është dorëzuar Lulzim Rexhës (paditësit subsidiar) njoftimi për ndërmarrjen e ndjekjes si paditës subsidiar. Gjykata obligoi paditësin që ta marrë me vete edhe përfaqësuesin e tij me autorizim, avokatin Hasan Jashari, ndërsa i ofroi mundësinë që nëse nuk është në gjendje të sjellë avokat, vetë gjykata t’i caktojë një mbrojtës, sipas detyrës zyrtare.