Dënohet ish-gjykatësi Puka, lirohen avokatët

 

Gjykata, pas 25 seancave të mbajtura dhe pas dëgjimit të 60 dëshmitarëve, si dhe leximit të gjitha provave materiale, shpalli fajtor ish-gjykatësin Kolë Puka për lëshim të vendimit të kundërligjshëm gjyqësor, shpërdorim të pozitës zyrtare ose autorizimit, pastrim të parave dhe mashtrim. 

Për këto vepra penale, ish-gjykatësi Puka u dënua me trembëdhjetë vjet burgim, por gjykata ëw pajtim me Kodin Penal, atij i shqiptoi një dënim unik prej 10 vjetësh burgim. Po ashtu, pas vuajtjes së dënimit, ai nuk do të ketë të drejtë të ushtrojë profesionin e juristit edhe për 3 vjet të tjera.

Ish-gjykatësin, gjykata e liroi për veprën penale të krimit të organizuar, evazionit fiskal, falsifikimit të dokumenteve dhe për rastet e veçanta të falsifikimit të dokumenteve si dhe për një vepër tjetër të pastrimit të parave.

Më parë, Kolë Puka nga Gjykata e Qarkut në Pejë u dënua me një dënim unik prej 5 vitesh burg, e po në këtë gjykatë Pukës iu konfirmua aktakuza tjetër që e akuzon atë për shpërdorimin e më shumë se 74 mijë eurove. 

Të pandehurit Zef Marleku dhe Lon Palushaj, nga gjykata u shpallën të pafajshëm në të gjitha pikat e akuzës dhe janë lënë të lirë. 

Kolegji në arsyetim kishte shqyrtuar teorinë e prokurorisë, sipas së cilës Kolë Puka ka bashkëpunuar në mënyrë kriminale me Zef Marlekun e Lon Palushajn. 

Por, sipas gjykatës pas shqyrtimit të provave “është parë se Kolë Puka ka futur në rrjetin e tij edhe Zef Marlekun e Lon Palushajn, por që të njëjtit më shumë ishin viktima të krimit të tij”. Sipas gjykatës ka “shumë gjasa që Hilmi Hana ka qenë bashkëkryesi kryesor i Kolë Pukës, pasi që edhe vetë Puka e kishte pranuar në seancë që ai i ka bërë favore si një miku të tij”. Por gjykata beson “që Kolë Puka ka nxjerr shuma të mëdha parash për vete dhe për Hilmi Hanën.”

Kryetari i kolegjit, Dean Pinales, ndër të tjera në këtë seancë tha se “Kolë Puka preku zyrën e gjykatës, zyrë në të cilën qytetarët duhet të besojnë”. 

Në këtë aktgjykim, mbrojtësi i Kolë Pukës, avokati Tahir Rrecaj, paralajmëroi ankesë në të gjithë bazën e aktgjykimit. Ndërsa, prokurori Ali Rexha ende nuk ka vendosur nëse do të bëjë ankesë.