Ish-drejtuesi i PTK-së dhe Devollët para gjykatës

 

Aktakuza e konfirmuar më 25 nëntor 2011, ngarkon të pandehurit Shyqyri Haxhën dhe Rexhë Gjonbalajn për veprat penale “Lidhje e kontratave të dëmshme” nga neni 237, e dënueshme deri në 10 vjet burgim dhe veprën penale “Shpërdorim i detyrës zyrtare” nga neni 339, e dënueshme deri në 8 vjet.

Tre të pandehurit nga kompania “Devolli” akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Mashtrimit” nga neni 261, e dënueshme deri 5 vjet burgim; veprën penale “Lidhje e kontratës së dëmshme”, nga neni 237, e dënueshme me burg deri në 10 vjet; veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”, e dënueshme deri në 3 vjet burgim.

Dyshimet e prokurorisë shkojnë prapa deri në vitin 2008, kur PTK-ja kishte nënshkruar kontratë me Dardafone, si konsorcium i Devolli Group dhe kompanisë Unitel nga New Yorku.

Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit, ART, kishte licencuar Dardafone-n për të operuar si Operator i Rrjetit Virtual Mobil (MVNO), pra për të ofruar shërbime telefonike duke përdorur infrastrukturën e një kompanie tjetër, në këtë rast atë të PTK-së. Sipas marrëveshjes, Dardafone do të merrte 78 për qind të fitimit, që është cilësuar e paprecedentë për MVNO-të.

Para se të nënshkruhej kjo marrëveshje, emri në kontratë ishte ndryshuar nga Dardafone në Dardafone.net. 

Devolli Group dhe Unitel kishin bërë më vonë një marrëveshje jashtëgjyqësore.

Menaxhmenti i PTK-së dhe Devolli Group me këtë kontratë thuhet se i kanë shkaktuar më shumë se 200 milionë humbje ndërmarrjes publike, respektivisht buxhetit të vendit.

Gjatë seancave të mbajtura në ambientet e gjykatores së Fakultetit Juridik, kolegji i gjykatësve pati rastin të dëgjojë dëshmitarët e propozuar nga prokuroria në mesin e të cilëve kishte edhe ish-deputetë të Kuvendit të Kosovës, anëtarë e ish-anëtarë të Bordit të PTK-së dhe ekspertë të forenzikës.

Disa seanca u desh të shtyhen, për mungesë të paraqitjes së dëshmitarëve në seancë. 

Dëshmitari Naim Rrustemaj, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, ndër të tjerash deklaroi se atij i kishin shkuar letra në postën e Kuvendit, ku edhe kishte marrë vesh për ato që po ndodhnin në PTK. Ai tha se më pas e kishte ngritur zërin si deputet në Kuvend dhe me një letër i ishte drejtuar edhe shefit të misionit të EULEX-it. Më pas, ai kishte marrë një ftesë nga Isabel Arnal, ish-kryeprokurore e Prokurorisë Speciale të Kosovës. 

Me ish-kryeprokuroren Arnal kishte biseduar për PTK-në dhe bindjen e tij. Dëshmitari gjatë gjithë kohës deklaronte se ai nuk ka pasur njohuri për marrëveshjen, por ai e kishte krijuar bindjen se ajo ishte e dëmshme. Ai shtoi se edhe sot e ka një bindje të tillë.

Mbrojtja kërkoi nga prokurori që t’i njoftonte me deklaratën e dëshmitarit të dhënë para ish-kryeprokurores Arnal. Mirëpo, prokurori tha se nuk ka njohuri për ndonjë marrje në pyetje nga ana e dikujt nga Prokuroria Speciale dhe se atë deklarimin e dëshmitarit nuk e kishte. Prokurori tha se pas kërkimeve që do të bënte do ta njoftonte gjykatën dhe palët se çfarë kishte gjetur lidhur me deklarimin e Rrustemajt para ish-kryeprokurores Arnal. 

Dëshmitari Rrustemaj tregoi se letra e drejtuar për shefin e EULEX-it ishte vetëm një bindje e tij personale dhe se atë bindje e kishte edhe sot nëse pyetej. Mendimi i tij ishte se PTK-ja ka humbur para me marrëveshjen e MVNO-së të lidhur me Dardafon.net. 

Dëshmitari pranoi se të dy vëllezërit i kishin punuar në PTK dhe se Etrur Rustemaj kishte qenë drejtor ekzekutiv, deri në fund të vitit 2007. I pandehuri Haxhaj i kujtoi dëshmitarit që edhe vëllai tjetër i tij, Agroni, kishte qenë menaxher në PTK dhe kishte mbajtur pozitë udhëheqëse. Haxhaj pretendon se ishte vetë Etrur Rustemaj ai që kishte iniciuar MVNO-të, dhe se ai kishte qenë ideatori që PTK-ja të mbajë vetëm 30 % të fitimeve dhe PTK-ja të kryejë investimet. 

Anëtarët e Bordit të PTK-së u deklaruan për mbikëqyrjen dhe nënshkrimin e kontratës ndërmjet PTK-së dhe Dardafon.net e lidhur për MVNO (Operatori Virtual i Telefonisë Mobile). 

Ata dëshmuan se Dardafon kishte licencë nga Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit dhe se Bordi i PTK-së për këtë marrëveshje kishte ngritur dy Taskforca. Kur kishin votuar anëtarët e Bordit të PTK-së kishin qenë të ndarë. Tri vota kishin qenë pro nënshkrimit të marrëveshjes, dy vota kishin qenë kundër dhe një anëtar kishte abstenuar në votim. Ky votim kishte bërë që PTK-ja të nënshkruajë marrëveshjen me Dardafon.net. 

Seancat në këtë çështje pritet të vazhdojnë në muajin janar të vitit të ardhshëm.