I pari i Vitisë akuzohet për shpërdorim detyre

 

Arifi, së bashku me Kabil Hajdarin, akuzohen për veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare, ose të autorizimit. E, Hajdari, pos për shpërdorim të pozitës zyrtare, akuzohet edhe për shmangie nga tatimi dhe mashtrim në detyrë.

Kryetari i Komunës së Vitisë, pas konfirmimit të aktakuzës rrezikon të dënohet deri 8 vjet burgim. E Hajdari, pos që rrezikon që për veprën e shpërdorimit të dënohet deri në 8 vjet burg, ai mund të dënohet edhe për dy veprat të tjera, dhe atë për shmangie nga tatimi deri në pesë vjet burg, kurse për mashtrim në detyrë deri në dhjetë vjet burg. 

Prokuroria e Qarkut në Gjilan, pas bastisjes në lokacionet kompanisë “Universal”, informatave të marra nga Administrata Tatimore e Kosovës lidhur me mospagimin e tatimit dhe hetimeve të bëra në Komunën e Vitisë, me datën 30 dhjetor 2011, ngriti aktakuzën për kryetarin e Komunës së Vitisë, Nexhmedin Arifin dhe drejtorin e kompanisë “Universal”, Kabil Hajdari. 

Në aktakuzën e prokurorit Shaban Spahiu thuhet se kryetari i Komunës së Vitisë, Nexhmedin Arifi, që nga data 22 gusht 2008 ka vepruar në kundërshtim me ligjin për ndërmarrjet publike. Kryetari Arifi, asokohe kishte marrë vendim për ekzekutimin e vendimit të Kuvendit Komunal të Vitisë, që kishte të bënte me derajonalizimin e KRM “Higjiena”, njësia punuese në Viti. Me këtë vendim ishte formuar kompania NP “Universal”me seli në Viti. 

Aktakuza thotë se në këtë kohë, Ministria e Administratës dhe e Pushtetit Lokal, përmes një shkrese i ishte drejtuar kryetarit të Komunës, që ta rishqyrtonte dhe shfuqizonte vendimin e Kuvendit Komunal për derajonalizimin e KRM “Higjiena”. 

Ministria, përmes shkresës, i kishte kërkuar kryetarit Arifi që të respektonte edhe vendimin e Qeverisë së Kosovës, numër 10/39, me të cilin ishte përcaktuar struktura pronësore për ndërmarrjet publike, thuhet më tutje në aktakuzë.

Përmes këtij vendimi, Qeveria kishte trajtuar KRM “Higjienën” si ndërmarrje aksionare me tri njësi, ashtu që Komuna e Gjilanit do të kishte 72.4% të aksioneve, Kamenica 13.5% të aksioneve, ndërsa Vitia do t’i kishte 14.1% të aksioneve. 

Përkundër këtij vendimi, në aktakuzë thuhet se kryetari Arifi ka lejuar që kompania “Universal” të veprojë për tri vjet si e palicencuar duke i mundësuar ushtruesit të detyrës së kësaj kompanie, të pandehurit Kabil Hajdari, t’i keqpërdorte mjetet publike të kompanisë. Me këto veprime, kryetari Arifi i shkakton një dëm material buxhetit të Kosovës në shumën prej 79 mijë e 815 euro. 

Për këtë shumë të keqpërdorur, prokurori Spahiu e akuzon Kabil Hajdarin se si ushtrues detyre i drejtorit të NP “Universal”, nga gushti i 2008 deri në majin e vitit 2011, e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës. 

I njëjti, sipas raportit të Administratës Tatimore të Kosovës, i është shmangur tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSh-së) në shumën prej 79 mijë e 815 euro. 

Ushtruesi i detyrës në NP “Universal”, pos që i është shmangur tatimit dhe e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës, sipas aktakuzës ai ka dëmtuar edhe kontributet e punëtorëve. 

Kabil Hajdari nga marsi i 2009-së e deri në janar të 2011-së, mjetet të destinuara për kontributin në Trustit Pensional të Kosovës, për punëtorët e ndërmarrjes “Universal”, edhe pse i kishte mbledhur nga 10 punëtorët e tij, nuk i ka paguar. I pandehuri Hajdari, sipas aktakuzës së Prokurorisë së Qarkut në Gjilan, mjetet në shumën prej 16 mijë euro kishte urdhëruar që të deponohen në një xhirollogari tjetër, në një nga bankat e vendit. 

Gjatë hetimeve, policia kishte marrë në pyetje kryetarin Arifi. Ai në deklaratën e tij e pranon faktin se në gushtin e 2008-së kishte marrë vendim që të bënte derajonalizimin e KRM “Higjiena” dhe formimi i kompanisë NP “Universal”. Arifi i kishte thënë policisë se vendimin e ka të bazuar në ligjin mbi qeverisjen lokale dhe gjithë këtë e ka bërë për interesin të qytetarëve që ata të kenë shërbime më të mira. 

Kur policia e kishte pyetur kryetarin Arifi për shkresën e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, e cila ministri kishte rekomanduar shfuqizimin dhe shqyrtimin e vendimit të tij, ai ishte përgjigjur se ai ka qenë në dijeni për këtë shkresë, por se atë e kishte referuar te shefi i administratës. Kryetari Arifaj, edhe për vendimin e Qeverisë së Kosovës, lidhur me ndërmarrjet publike dhe aksionet e tyre, përgjigjet njëjtë. 

I pandehuri tjetër, Kabil Hajdari, në deklaratën e dhënë para policëve hetues ka mohuar t’i ketë kryer veprat me të cilat tanimë ngarkohet nga prokuroria dhe janë konfirmuar nga gjykata. Ai para policëve kishte treguar se si ushtrues detyre i drejtorit të NP “Universal”, kompani e formuar nga Komuna e Vitisë, e ka ditur që kompania nuk është e licencuar, por mohon të ketë ditur për vendimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me ndërmarrjet publike. Policia ishte e interesuar të dinte edhe pse ai nuk i kishte paguar kontributet e punëtorëve në Trustin Pensional, derisa punëtorëve iu ishin ndalë ato para nga rroga. 

Kabil Hajdari, para policisë e kishte pranuar se nuk i ka paguar kontributet dhe nuk i ka deklaruar të hyrat e qarkullimit të realizuara gjatë viteve. Ai tha se aktivitetin e kompanisë nuk e ka deklaruar, pasi që ATK-ja nuk i kishte mundësuar atyre si kompani një numër të biznesit. E mungesa e numrit nga ATK-ja e arsyeton edhe mospagesën e kontributit. 

Policia nuk e kishte lënë me kaq, ata gjatë hetimeve kanë dëgjuar dëshmitë e 10 punëtorëve të kompanisë NP “Universal”, të cilët ishin dëmtuar me veprimet e të pandehurit Hajdari. Të gjithë dëshmitarët në polici kishin përshkruar se si ushtruesi i detyrës drejtorit të “Universalit”, Hajdari, kishte vepruar në mënyrë inkriminuese. Secili nga dëshmitarët kishte deklaruar se ishin ndarë mjetet nga rroga për kontributin pensional dhe se kontributi pensional i tyre ishte i paraparë edhe në listat e rrogave. 

Gjatë muajit të ardhshëm, kryetari i Vitisë, Nexhmedin Arifi dhe i pandehuri tjetër Kabil Hajdari, pritet të dalin para trupit gjykues që të gjykohen veprat penale.