Konfirmimi i aktakuzës për ish-gjykatësin Nuhi Uka dhe të tjerët në pritje

 

Të pandehur në këtë rast Nuhi Uka, ish-kryetar i Gjykatës Komunale të Prishtinës; Olga Janicijeviç, e cila ishte gjykatëse civiliste në Gjykatën Komunale; Ekrem Agushi, gjykatës civilist në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë; Ferid Bislimi, gjykatës civilist, po ashtu në Gjykatën e Qarkut; Sanije Muçolli, gjykatëse civiliste në Gjykatën Komunale; Shemsije Sheholli, gjykatëse civiliste në Gjykatën Komunale; Rrahman Retkoceri, gjykatës civilist në Gjykatën e Qarkut; Tihomir Mikariq, gjykatës civilist në Gjykatën Komunale; Hasnije Balidemaj, zyrtare nga ndërmarrjen shoqërore “KBI” dhe Gazmend Gashi, jurist në Komunën e Prishtinës, i punësuar në Drejtorinë për Financa dhe Çështje Pronësore.

Mbi dhjetë të pandehurit rëndojnë akuzat për tjetërsim të pronës shoqërore në pronë private, veprim i cili ka shkaktuar rreth 60 milionë euro dëm. Bëhet fjalë për tjetërsimin e 15 rasteve gjyqësore, me ç’rast pronat e kombinatit bujqësor “KBI Kosova Eksport” janë përkthyer paligjshëm në emër të personave fizikë dhe më pas janë shitur.

Prokurori, në fjalën e tij propozoi që kjo aktakuzë si e tillë të konfirmohet, duke konsideruar se ekzistojnë fakte dhe prova të mjaftueshme të cilat vërtetojnë se të njëjtit kanë kryer veprat penale me të cilat i ngarkon prokuroria.

Ndërsa nga ana tjetër, mbrojtja e të akuzuarve e kundërshtoi në çdo pikë aktakuzën e prokurorit, duke pretenduar në pafajësinë e të pandehurve dhe në mos objektivitetin e prokurorit në këtë çështje.

Ndër të tjera mbrojtësi i të pandehurit Nuhi Uka, avokati Tahir Rrecaj, tha se “prokurori, gabimisht ka vlerësuar provat dhe faktet dhe nuk ka qenë objektiv në përpilimin e aktakuzës, duke bërë që të shkelet parimi i barazisë së armëve, nga fakti se nuk janë marrë parasysh edhe rrethanat të cilat shkojnë në favor të të pandehurve”.

Aktakuzën e prokurorit e kundërshtuan të gjithë mbrojtësit dhe të pandehurit e këtij rasti.

Në mungesë të pandehurit Ferid Bislimi, gjykata mori vendim që procedura ndaj tij të veçohet.

Propozim për veçim të procedurës patën edhe mbrojtësit e të pandehurve Rrahman Ratkoceri e Ekrem Agushi. Ky i fundit personalisht e njoftoi gjykatën se me aktgjykimin e komisionit disiplinor, është vendosur në formë të prerë, se për veprimet e tij, nuk ka sjellje të pahijshme për të njëjtën çështje gjyqësore.

Ish-gjykatësi Agushi, para trupit gjykues tha se ishte i lodhur me këto akuza. Prokurori i çështjes, Joachim Stollberg, i propozoi trupit gjykues që kërkesa për veçimin e procedurës ndaj dy të pandehurve Ratkoceri e Agushi, të refuzohet. Gjykatësi për konfirmim të aktakuzës, morri vendim duke e refuzuar kërkesën për veçim ndaj tyre, në përjashtim të pandehurit Bislimi.

Muajin e ardhshëm pritet vendimi i gjykatës për këtë çështje.