Dënohet ish-avokati publik i Prizrenit

 

Në procedurën civile në Gjykatën Komunale në Prizren, në lëndën civile me numër 108/05, sipas padisë së G. M. e me aktgjykim të ndërmjetëm, avokati publik nuk ka parashtruar ankesë kundër aktgjykimit. Në këtë mënyrë, ai e shpërdoron pozitën zyrtare dhe kapërcen kufijtë e autorizimeve, duke i mundësuar G. M. pronësinë e ngastrës 7066, sipas listës poseduese 538, në sipërfaqe prej 11,46 arësh, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Publike të Qarkut.

Duke u bazuar në të dhënat e lartcekura, Eqrem Muçajn, Prokuroria e ngarkon me kryerjen e veprës penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare, ose të autorizimit nga neni 339, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Kosovës.

Mirëpo, pas zhvillimit të seancave gjyqësore, prokurori i çështjes, Shaban Berisha, (tani i pensionuar), në fjalën përfundimtare kishte bërë ndryshimin e aktakuzës lidhur me cilësimin juridik të veprës penale, duke u tërhequr nga paragrafi 3 i kësaj vepre penale, për të cilën ligji parasheh dënimin deri në tetë vjet burgim. Ai kishte hequr nga aktakuza frazën “në shumën prej 5 000 euro”, duke mbetur pranë të njëjtës vepër penale, mirëpo vetëm nga paragrafi 1, për të cilin ligji parasheh dënimin deri në një vit burgim.

Gjykata e Qarkut në Prizren shpalli aktgjykimin dhe të pandehurin Muçaj e shpalli fajtor për veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare ose autorizimit dhe e dënoi me një vit burgim, me kusht që brenda dy viteve të mos kryejë vepër të njëjtë penale. Ankesë paralajmëruan si prokurori i Qarkut, ashtu dhe mbrojtja me të pandehurin.