Dëgjohen dëshmitarët e mbrojtjes në rastin Bllaca II

 

Në këtë çështje, të akuzuar janë Fahredin Gashi, i dënuar me 18 vjet burgim në rastin Bllaca I, Shpresim Uka, Sadik Abazi, Driton Hajdari, Bekim Syla dhe Shaban Syla. 

Të pandehurit akuzohen se kanë vrarë Ibush Kllokoqin dhe kanë tentuar të vrasin Adem Salihajn dhe Ismet Arifin. 

Muajin e kaluar, kolegji i gjykatësve ka marrë vendim që të ndajë procedurën për të pandehurin Fahredin Gashi, pasi që pas raporteve të neuropsikiatrisë është konstatuar se ai nuk është i aftë ta ndjekë gjykimin. 

Pas ndarjes së procedurës ndaj Fahredin Gashit, seancat kanë vazhduar për të pandehurit e tjerë të cilët kanë propozuar dëshmitarë. Propozimet janë miratuar nga gjykata . 

Fillimisht u dëgjuan dëshmitarët e të akuzuarit Sadik Abazi, të cilët paraqitën alibinë për kohën e vrasjes së Ibush Kllokoqit. Sipas dëshmitarëve, në natën e vrasjes së Ibush Kllokoqit, Sadik Abazi kishte organizuar një aheng në shtëpinë e tij, ku kishte mbledhur shumë njerëz, pasi që djali i tij atë ditë ishte lëshuar nga spitali pas një aksidenti që kishte pësuar disa ditë më parë. 

Mbrojtja e Abazit i kishte ftuar për dëshmitarë Fatmir Xhelilin e Azem Sylën. Por, pas dëgjimit të Xhelilit, ata hoqën dorë nga dëgjimi i Azem Sylës, me arsyetimin se nuk është i nevojshëm për mbrojtjen, pasi Xhelili ishte i mjaftueshëm.

Fatmir Xhelili, në cilësinë e dëshmitarit, tha se ka qenë pjesëtar i ShIK-ut dhe se ka shërbyer deri disa ditë para se të bëhej zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ai kishte dhënë dorëheqje nga pozita e tij në ShIK – drejtor për luftimin e krimit të organizuar.

Xhelili, i cili është mjek i neuropsikatirisë, është pyetur nëse e kishte trajtuar Nazim Bllacën. Por, Xhelili tha se Bllaca kishte qenë në ambulancën e tij, porse nuk mund të jepte asnjë deklaratë lidhur me gjendjen shëndetësore të Bllacës, pasi që nuk e lejonte etika profesionale. 

Xhelili nga kolegji i gjykatësve u lirua nga dhënia e dëshmive edhe për kohën e UÇK-së dhe ato të ShIK-ut, pasi që Kodi i Procedurës Penale e lejonte që të mos përgjigjej për profesionin dhe për fshehtësitë ushtarake, pa lejen e udhëheqësit. Përkundër kësaj, Xhelili tha se do të përgjigjet në pyetje të cilat nuk e rrezikojnë fshehtësinë e profesionit dhe ato të ShIK-ut. 

Më tutje Xhelili, tregoi se si ishte financuar ShIK-u nga donatorë të ndryshëm dhe se si puna kryesore e kësaj organizate ishte siguria për Kosovën, duke bashkëpunuar me KFOR-in dhe shërbimet e huaja sekrete që operonin në Kosovë. 

Mbrojtja e Shaban Sylës, i pandehur tjetër në këtë çështje, kishte propozuar që të dëgjohen disa dëshmitarë të alibisë, në mesin e të cilëve ishte edhe Hysri Rama, i dënuar më parë me gjashtë muaj burg me kusht, në rastin e njohur si Bllaca I. Rama në atë kohë ishte akuzuar dhe më pas ishte shpallur fajtor për veprën penale “ndihmë kryesit, pas kryerjes së veprës penale”. 

Si Hysri Rama, ashtu edhe dëshmitari tjetër i mbrojtjes, dëshmuan se në ditën e tentimvrasjes së Adem Salihajt, 12 qershor 2000, ata së bashku me të pandehurin gjatë gjithë ditës kishin qenë së bashku dhe se atë ditë kishin qenë në Stadiumin e Prishtinës, ku ishte mbajtur manifestimi për përvjetorin e çlirimit. 

Rama tregoi se si Nazim Bllaca i kishte kërkuar Shaban Sylës, fillimisht 200 mijë euro për gjetjen e nipit e më pas përmes një personi tjetër edhe 200 mijë euro për të mos i dërguar fotografitë e Shaban Sylës te Adem Salihaj. Të njëjtën e thanë edhe tre dëshmitarët e alibisë për Shpresim Ukën. Ata thanë se në ditën e 12 qershorit 2000 kishin qenë së bashku me Shpresim Ukën në Stadiumin e qytetit të Prishtinës dhe atë deri në orën 16, kur edhe kishte përfunduar manifestimi. 

Në seancën e fundit për muajin tetor, kolegji i gjykatësve e ridëgjoi dëshminë e dëshmitarit bashkëpunues Nazim Bllaca. Prokurorja Emma Rizzato kishte propozuar që të ftohet edhe një herë Bllaca si dëshmitar, pasi që kolegji kishte dëgjuar dëshmitë e alibive të të pandehurve. Dëshmitarët e alibisë kanë thënë se në datat që të pandehurit janë akuzuar nga Nazim Bllaca, të pandehurit kanë qenë në ndonjë vend tjetër. 

Bllaca tregoi për datat e vrasjes duke konfirmuar 6 gushtin e 1999-ës si datë të vrasjes së Ibush Kllokoqit dhe 12 qershorin e 2000-ës si datën e tentimvrasjes së Adem Salihajt. Ai, po ashtu, i konfirmoi incizimet e dy bisedave që ishin bërë nga ai dhe vëllai i tij, Mergim Bllaca. Bllaca deklaroi ndryshe nga ajo që deklaronte Hysri Rama lidhur me 200 mijë eurot për nipin e Shaban Sylës dhe 200 mijë eurot e tjera për Adem Salihajn. Bllaca mohoi të ketë kërkuar para nga Shaban Syla.

Bllaca tregoi edhe për sëmundjen e tij dhe shkuarjen te Fatmir Xhelili për shërim. Ai tha se atje kishte së bashku me Fahredin Gashin, Shpresim Ukën dhe vëllain e tij, Osman Bllaca, dhe se trajtimi i tij te Xhelili kishte zgjatur pak më shumë se një muaj. 

E gjatë këtij muaji kolegji i gjykatësve bëri një shkelje të procedurës. Derisa po dëgjohej dëshmia e Bajrush Mujotës, dëshmitar i alibisë për Sadik Abazin, në sallë qëndroi për më shumë se 30 minuta edhe Hajredin Ahmeti, po ashtu dëshmitar i alibisë për të pandehurin Abazi. Kolegji nuk e vërejti praninë e dëshmitarit, por pas një kohe vetë mbrojtja i tërhoqi vërejtjen kolegjit se dëshmitari po qëndronte në sallë. Kjo bëri që kolegji të shkelë nenin 164, paragrafi 1 i KPPK-së.

Seancat në këtë çështje pritet të vazhdojnë gjatë muajit nëntor.