Elez Blakaj u konfirmon kolegëve dorëzimin e aktakuzës për listat e veteranëve

Në letrën e dorëheqjes, prokurori Elez Blakaj, ka përmendur faktin se kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku, i kishte dorëzuar aktakuzën për listat e veteranëve të UÇK-së.

Në një deklaratë për KALLXO.com, prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha e ka pranuar se prokurori i dorëhequr, Elez Blakaj ka përmendur faktin që ka dorëzuar një aktakuzë të kryeprokurori Millaku. Por Hoxha ka mohuar faktin që të jetë në dijeni se ka një aktakuzë për listat e veteranëve të UÇK-së.

“Ne nuk kemi ndonjë informacion se një aktakuzë e tillë është dorëzu. Nuk e dimë na nëse ka aktakuzë, sepse ai (Elez Blakaj) po thot që ja ka dërgu kryeprokurorit Millaku”, tha prokurori Sylë Hoxha.

Më tej, Hoxha tha se vetëm kryeprokurori mund të dijë informata në lidhje me këtë aktakuzë, por tha se kryeprokurori Millaku është në pushim.

Prokurori Hoxha shpjegoi se, sipas rregullave të brendshme të Prokurorisë Speciale, në momentin që një prokuror ka përgatitur aktakuzë, atë aktakuzë e dorëzon në gjykatë dhe jo te kryeprokurori.

“Në kushte normale, kur përgatitet aktakuza ajo ish dashtë me shku në gjykatë”, shpjegoi prokurori Hoxha.

KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë me kryeprokurorin Millaku dje dhe sot, por se ai e ka të mbyllur telefonin dhe nuk përgjigjet.

KALLXO.com ka pyetur Gjykatën në Prishtinë nëse është dorëzuar ndonjë aktakuzë në lidhje me listat e veteranëve të UÇK-së. Mirlinda Gashi, zëdhënëse e gjykatës, konfirmoi se kjo gjykatë nuk ka pranuar asnjë aktakuzë në lidhje me këtë.

“Gjykata Themelore në Prishtinë konfirmon se deri më tani nuk ka pranuar aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës lidhur me këtë rast”, tha Gashi për KALLXO.com.