E plotësuar - Dënim me Burg për Kryetarin e Drenasit, Nexhat Demaku

Vetë kryetari i komunës së Drenasit, Nexhat Demaku u ndie i befasuar me vendimin e sotëm të gjykatës e cila e dënoi atë me 1 vit e gjashtë muaj burg.

Ai tha se ky është një kontest pronësor dhe nuk ka të bëjë me përgjegjësinë e tij individuale si kryetar komune.

“Më kanë befasuar me vetë faktin që është një proces i njohur që ka filluar në një kontest në mes të komunës dhe familjes në fjalë një kontest që ka filluar prej vitit 2000 dhe absolutisht nuk ka të bëjë me përgjegjësinë tonë individuale”, tha Demaku.

Ai tha se familja me një vendim të vitit 1998 pretendon se ajo pronë u takon atyre.

Sipas Demakut, i gjithë ky proces ka të bëjë me atë se komuna nuk e ka regjistruar këtë pronë sipas atij vendimi të asaj kohe kur është nxjerrë.

“I gjithë procesi ka të bëjë me atë se komuna nuk e ka regjistruar dhe nuk e ka pranuar një vendim të tillë edhe unë besoj dhe jam i sigurt në atë se këto vendime sidomos të asaj periudhe janë shumë të dyshimta”, tha Demaku.

Edhe avokati i tij, Ibrahim Dobruna u nda i pakënaqur me vendimin e gjykatës.

Ai tha se ky dënim është në kundërshtim me provat dhe bazën ligjore dhe se kjo është argumentuar edhe në fjalën përfundimtare.

“Jam shumë i bindur që një vendim dënues është në kundërshtim me faktet provat edhe bazën ligjore sepse kryetari i komunës asgjë nuk ka të bëjë me kadastër”, tha Dobruna.

Ai shpreson se kolegji i Gjykatës së Apelit do ta përmirësojë gabimin e gjykatës së shkallës së parë.

“Shpresoj që faza e dytë e ushtrimit të mjetit juridik të rregullt të ankesës do t’i japë mundësi kolegjit penal të Gjykatës së Apelit që ta përmirësojë këtë gabim të gjykatës së shkallës së parë”, tha Dobruna.

Edhe avokati Hasan Rexha, mbrojtës i Mehdi Kurumelit, tha se vendimi është jo i drejtë dhe në kundërshtim me provat është një vendim paushall.

“E komentoj si vendim jo të drejtë dhe në kundërshtim me provat dhe faktet. Një vendim paushall i cili çdokush mund të marrë një dënim të tillë në kundërshtim me provat”, tha Rexha.

Ai Rexha tha se do të paraqesë ankesë pasi që vendimi i duket jo i ligjshëm.

Ndërsa Mehdi Kurumeli tha se vendimin e konsideron si të pa bazë. Ai tha se në punën e tij e ka “zbatuar vetëm ligjin dhe se prona nuk mund të regjistrohet dy herë”.

Ndërsa Arif Hasi, avokati i familjes Hasi e cila në këtë proces është si palë e dëmtuar tha se ky aktgjykim është i drejtë dhe me të vërtetohet se udhëheqësit komunalë kanë shpërdorur detyrën zyrtare.

“Konsideroj që aktgjykimi i sotëm ishte një aktgjykim i drejtë dhe real me gjendjen e cila familja Hasi është duke kërkuar një të drejtë të veten legjitime ka kohë pothuajse 15 vite të cilën nuk është duke e realizuar ende mirëpo verdikti i sotëm e vërteton faktin se udhëheqësit komunal kanë dorë në këtë çështje dhe kanë shpërdorur detyrën zyrtare për çka edhe u shpallën fajtor”, tha Hasi.

Mediat nuk janë lejuar të jenë të pranishme në sallë në momentin e shpalljes së aktgjykimit.

10:14

Kryetari i komunës së Drenasit, Nexhat Demaku është dënuar me 1 vit e gjashtë muaj burg efektiv nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Bashkë me të, i akuzuari tjetër Mehdi Kurumeli është dënuar me 1 vit ndërsa Shefqet Morina është liruar nga akuzat.

Demaku akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e një parcele toke prej 4 hektarësh të cilën komuna e konsideron të vetën, ndërsa Gjykata Supreme e vlerësoi private. Në këtë pronë është ndërtuar një shkollë publike.

Mehdi Kurrumeli është drejtor në Shërbimin Kadastral të Komunës së Drenasit ndërsa Shefqet Morina, referent për ndërrime kadastrale në këtë komunë.

Demaku është kryetari i pestë i një komune që qeveriset nga PDK që dënohet me burg.

Para tij, dënim nga gjykata kanë marrë edhe ish kryetari i komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, ish kryetari i komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemajli, kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, dhe kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku.