Drama 'Peer Gynti nga Kosova', premierë në Teatrin Shtetëror të Stambollit

Drama e Jeton Nezirajt “Peer Gynti nga Kosova” (Kosovali Peer Gynt) do të shfaqet të enjten premierë në Teatrin Shtetëror të Stambollit.

Regjia e shfaqjes është bërë nga Saydam Yeniay, kurse përkthimin e dramës së Nezirajt e ka bërë Senem Cevher.

Ndërkaq sonte po në Stamboll në teatrin privat “Dina Tyiatro” do të inskenohet një dramë tjetër e Nezirajt, drama “Liza po fle”.

“Liza po fle” inskenohet me titull të ri në gjuhën turke, “Günah Çıkarma”, me regji të Ílhami Özdemir, kurse përkthimin në gjuhën turke është bërë po nga Senem Cevher.

Këto dy drama më herët janë botuar në gjuhën turke nga Shtëpia Botuese “Mitos Boyut” në Stamboll.

Nuk është hera e parë që veprat e dramaturgut kosovar Neziraj inskenohen në teatrot turke.

Vite më parë Teatri Shtetëror i Turqisë ka inskenuar dramën e Jeton Nezirajt “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës”, kurse Teatri i Qytetit të Stambollit pat inskenuar para dy vitesh dramatizimin e Nezirajt të “Gjeneralit të Ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë.

Janë inskenuar nga disa herë edhe “Yue Madeleine Yue”, “Liza po fle” dhe “Lufta në kohën e dashurisë”.

Pos në gjuhën turke, në Stamboll, më herët, drama “Liza po fle” është inskenuar edhe në gjuhën kurde.