Shfaqja kosovare-gjermane transmetohet sot në formatin livestream

“Carla Del Ponte Trinkt In Pristina Einen Vanilla Chai Latte” është shfaqja e cila do të transmetohet sot nga ora 21:00 në formatin livestream, njofton Ministria e Kulturës.

Me regji nga koreografi nga Berlini, Jochen Roller dhe skenarin e Jeton Neziraj nga Prishtina, shfaqja trajton një ngjarje që kap perspektiva, qëndrime, ideologji e mendësi të ndryshme duke i shndërruar personazhet në personalitete tjera.

Protagonistja Carla Del Ponte udhëton për në Kosovë për të përndjekur kriminelët e trafikimit me qenie njerëzore, shitjen e organeve.  Në  një pushim të shkurtër, Ponte shkon në një kafene Starbucks në Prishtinë. Pija e saj e preferuar Vanilla Chai Latte e cila e befason me shijen e njëjtë si Europë i ngjall ankth për liberalizmin e dështuar të demokracive të vjetra të Europës, tërheqjen pornografike të kapitalizmit perëndimor, tregtinë e organeve dhe superioritetin e thikave zvicerane.

Tekstin e Nezirajt, koreografi e vë në lëvizje duke inkuadruar pesë aktoret: Agnes Nokshiqi, Alketa Sylaj, Donikë Ahmeti, Lyra Xhoci, Vjosa Abazi të cilat me me çmenduri shndërrohen nga Carla del Ponte në personalitete tjera njerëzore si Madeleine Allbright, në artistët Marina Abramovich dhe Ulay, në  bamirësen Nënën Tereza,  në një dhuruese organesh e një marrës organesh, Bill Klinton, Elez Nikçin, vëllain e Pontes dhe në një grua gjermane të tmerrshme.

Kjo shfaqje është prodhuar nga Qendra Multimedia (Prishtinë) dhe FFT, Düsseldorf.

Shfaqja transmetohet në gjuhën angleze.