Regjisori Jeton Neziraj

Jeton Neziraj: Prishtina, qyteti i vetëm në Evropë me më pak teatro e hapësira për krijuesit

Qendra Multimedia ka mbyllur të mërkurën hapësirën e saj perforumuese në lagjen “Dardania” në Prishtinë, pas gati dhjetë vjet të funksionimit.

Humbja e kësaj hapësire e vë në vështirësi Qendrën Multimedia duke pasur parasysh aktivitetet vjetore, sidomos ato me karakter ndërkombëtar që qendra mban për çdo vit.

Në këtë intervistë për Kallxo.com, drejtori dhe themeluesi i Qendrës Multimedia, Jeton Neziraj flet për sfidat që e presin qendrën pas humbjes së hapësirës performuese, mos realizimin e memorandumit për shfrytëzimin e një objekti në Prishtinë nga OJQ-të kulturore.

Neziraj ka folur edhe për mbështetje financiare që japin institucionet për të mbështetur aktivitetet kulturore të organizatave të ndryshme, sidomos në kohën e pandemisë.

 

Kallxo.com: Cilat janë arsyet që shtyen Qendrën të mbyll hapësirën performuese në Lagjen “Dardani”? 

Jeton Neziraj: Hapësira ku ka qenë e vendosur Qendra Multimedia ka qenë private. Pronari pat vendosur ta shiste dhe vjet edhe e shiti. Ne natyrisht kemi qenë të vetëdijshëm që një ditë shpejtë mund të rrijmë tek kjo situatë, prandaj, me kohë patëm nisë përpjekjet për gjetje të një hapësire alternative, në mënyrë që t’ mund t’i vazhdojmë aktivitetet tona. Me komunën madje vjet nënshkruam një Memorandum bashkëpunimi për një objekt tek Kacallarët (Prishtinë) (bashkë me CHwB dhe Fondacioni 17), por i cili memorandum praktikisht nuk u zbatua nga ana e komunës. Pra, disa tentative për të gjetur një zgjidhje afatgjate dështuan dhe tani, jemi në këtë situatë ku jemi.

Pas humbjes së hapësirës

Kallxo.com:  Si do të funksionojë tani e tutje Qendra? 

Jeton Neziraj: Qendra Multimedia është organizatë kulturore dhe humbja e hapësirës ku ka operuar ia kufizon disa prej aktiviteteve, megjithatë, puna jonë, siç e dini ka shtrirje ndërkombëtare. Kështu që, ne do të vazhdojmë me aktivitetet tona, por duke iu përshtatë rrethanave të reja – me shpresë që shpejtë do të gjejmë një hapësirë pune të re.

Kallxo.com: Ku do të mbahen aktivitetet e qendrës të cilat nuk janë të pakta? 

Jeton Neziraj: Ne edhe më herët kemi bashkëpunuar me teatrot e hapësirat tjera – veçanërisht me Teatrin Kombëtar dhe Teatrin Oda, por kemi bashkëpunuar ngusht edhe me Teatrin e Gjilanit dhe atë të Ferizajit. Nga tash e tutje, bashkëpunimi me teatrin “Oda” do të intensifikohet. “Oda”, ka shprehur vullnetin t’i akomodoj aktivitetet e sivjetshme të Qendrës Multimedia, për çka e falënderojmë. Shpresojmë që ky bashkëpunim me teatrin “Oda” do të zhvillohet dhe intensifikohet dhe të marrë formë të një bashkëpunimi dhe bashkimi forcash afatgjate.

Kallxo.com: Në njoftimin për mbylljen e qendrës ju dhatë edhe një kritikë ndaj Komunës së Prishtinës në raport me qendrën. Çfarë mund të thoni për ndihmën që japin (dhe po japin) institucionet vendore, qoftë ato lokale apo qendrore për aktivitetet e OJQ-ve? 

Jeton Neziraj: Ndihma financiare është simbolike. Ndonjëherë, artistët individual suportohen nga komuna me shuma më të mëdha sesa ta zëmë, një organizatë e cila zhvillon aktivitete përgjatë krejt vitit dhe ka mbi supe peshën e mbajtjes së një hapësire fizike – siç ka qenë rasti me Qendrën Multimedia, ose sic është rasti me Teatrin “Oda”. Pra, ka qenë dhe ngelet ndihmë e vogël. Megjithatë, përtej kësaj, problem kryesor ngelen hapësirat kulturore – mungesa e tyre. Institucionet edhe ato në nivel qendror e edhe ato  në nivel lokal janë të treguara të paafta, të painteresuara ta zgjidhin këtë problem. Dhe sot, e ke Prishtinën ndoshta qytetin e vetëm në Evropë me kaq pak teatro e kaq pak hapësira pune për krijuesit. Dhe kjo është për të të ardhur keq.

Pasoja nga Pandemia

Kallxo.com: Si e shihni të ardhmen e OJQ-ve kulturore, sidomos pas goditjes nga COVID-19, ku kultura po del të jetë më e goditura? 

Jeton Neziraj: Nuk e di cili do të jetë epilogu i kësaj drame, megjithatë, po skena kulturore është shumë e goditur. Premtimi qeveritar i fillimvitit për pakon emergjente të dedikuar për skenën kulturore e atë të sporit dështoi dhe kjo gjë është skandaloze. Në këto rrethana, natyrisht, shumë organizata kulturore do të ndërpresin aktivitetet, të tjera ndërsa do të jenë në cep të ekzistencës. Pra, është një situatë e komplikuar për plot organizata kulturore – por edhe për shumë artistë të pavarur, të cilët, janë duke i vuajtur në mënyrë të tmerrshme pasojat e pandemisë. Artistët e pavarur që nuk kanë paga nga institucionet publike, duhet të mbështeten me urgjencë.

Zyrat e Qendrës Multimedia do të vazhdojnë të jenë në Dardani (Prishtinë), aty ku janë tash e rreth dy vite. Ato janë zyre pune, për stafin prej 10 vetash që punojnë në aktivitetet e ndryshme që Qendra i organizon dhe fasiliton gjatë vitit.