Jepet premiera shfaqjes virtuale ‘Sërish vijnë zgjedhjet’, arrin mbi 58 mijë shikime 

Shfaqja “Sërish vijnë zgjedhjet” me regji të Faik Ispahiut është dhënë dje në mbrëmje (12.07.2020) premierë LIVE në Facebook dhe në ZOOM. Është hera e parë që një shfaqje teatrale jepet LIVE përmes rrjeteve sociale, duke shënuar kështu një risi në skenën teatrore shqiptare, por edhe më gjerë. 

Përveç risive dhe mënyrës inovative të realizimit, shfaqja ka shënuar edhe një rekord të shikueshmërisë, duke kaluar 58 mijë shikimet. 

Shfaqja është transmetuar njëkohësisht përmes Facebook-ut në Virtual Theatre Kosovo, dhe në Facebook-un e Teatrit Kombëtar dhe gjitha teatrove të qyteteve të Kosovës.  

Pandemia e CoVid-19 ka imponuar mënyra të reja të funksionimit të teatrit. Deri më tani, teatrot shqiptare kanë transmetuar në Facebook, në version Livestream shfaqjet e tyre të regjistruara më herët. 

Por, tek shfaqja “Sërish vijnë zgjedhjet” gjithçka ishte Live, duke mundësuar edhe përcjellje LIVE të publikut përmes ZOOM-it.  

Tekstin e shfaqjes e ka adaptuar vet regjisori Ispahiu, duke u bazuar në “November” të David Mamet, duke përshtatur me aktualitetin kosovar. 

Shfaqja pasqyron degradimin institucional në Kosovë si rezultat i korrupsionit dhe keqpërdorimit të parasë publike nga zyrtarë të lartë të shtetit të Kosovës, e që më së miri shihet në kohë zgjedhjesh. 

Vigjiljet e zgjedheve gjithmonë ‘fusin në siklet’ shefat shtetërorë duke shpërfaq betejën e tyre për të fituar zgjedhjet me çdo kusht, duke korruptuar çdo gjë që mund të korruptohet. 

Gjithë këtë në mënyrë brilante e solli mbrëmjen e së dielës, me lojën e tyre ekipi i shfaqjes, me aktorë: Besim Ajeti, Shpejtim Kastrati, Ermal Sadiku dhe me paraqitje nderi të doajenit Enver Petrovci. 

Shfaqja “Sërish vijnë zgjedhjet”, për regjisorët dhe dramaturgët tanë sjellë një mënyrë të re të  bërit teatër. 

Dramaturgu Jeton Neziraj ka thënë për Kallxo.com se ka mbetur i befasuar për të mirë, veçanërisht me aktorët, me spontanitetin e tyre të lojës dhe me gatishmërinë për t’u ballafaqur me rrethanat e papritura që, siç ka thënë ai, shpesh u impononte mediumi në të cilin ata po luanin.  

“Konsideroj që ishte një eksperiment i suksesshëm – që nuk e zëvendëson teatrin që njohim, por megjithatë, na ofron një alternativë të shkëlqyer komunikimi dhe mbajtje gjallë të idesë së të bërit teatër. Kështu që, një bravo e madhe Faikut për idenë dhe aktorëve për lojën e shkëlqyeshme. Ajo që konsideroj se është dashur të investohet pak më shumë është teksti, i cili shpesh vuante nga citatet gazetareske të politikës ditore”, ka thënë regjisori Neziraj për Kallxo.com. 

Ndërsa, regjisori Agim Selimi është shprehur se shfaqja “Sërish vijnë zgjedhjet” është një risi për mënyrën e realizimin si rezultat i situatës me COVID-19, dhe sjellë një rrëfim mjaft aktual. Sipas tij, shfaqja ‘Sërish vijnë zgjedhjet” është në konceptin e shfaqjeve të realizuara më parë nga regjisori Ispahiu. 

“Për mendimin tim kjo ishte një mënyrë mjaftë me interes për të parë nëse teatri mund të funksionojë në këtë mënyrë, apo se cila është  mënyra më e mirë se si mund të prezantohet teatri në një situatë pandemie”, është shprehur Selimi 

Ai ka vlerësuar punën e bërë nga ekipi i shfaqjes. 

“Pamë një shfaqje të suksesshme dhe kjo formë e realizmit ka qenë shumë e përshtatshme për aktorin Besim Ajeti, i cili sipas meje duket shumë më mirë se sa në rolet e tija në teatër. Duket që regjisori ka punuar në Besimin, por edhe aktorët tjerë”, ka thënë ai për Kallxo.com.

Një vlerësim për shfaqjen në Facebook e ka dhënë edhe regjisori Kastriot Saqipi– Kaqa. Ai ka shkruar se kjo shfaqje arriti t`i japë emocione shumë më shumë se gjithë shfaqjet e teatrove të Kosovës, të cilat u dhanë në verisonin online, por që ishin të xhiruara më herët. 

Madje, siç është shprehur ai, edhe më shumë se shfaqja e tij e cila ishte shfaqur në kuadër të kalendarit të përbashkët online të teatrove kosovare muaj më parë.   

“Në mesin e atyre shfaqjeve ka qenë edhe shfaqja ime, por nuk arriti asnjëherë asnjëra ta marr publikun me vete. Kjo e juaja sot ma dha ankthin dhe tmerrin në bark sikur në teatër, duke pasur frikë se mos po gabojnë diçka aktorët t`u e ditë se ata janë drejtpërdrejt, më interesonte si reagon publiku mos është e tepërt, ketë rezultat e mora nga fytyrat e tyre që për herë të parë në jetë i shihja në fytyrë, i përgëzoj aktorët që kishin komunikim shumë të mirë mes veti shpesh ta jepeshin ndjenjën se janë me një dhomë nga komunikimi dhe raportet që kishin ata mes vete. Aty kishit edhe aktorin e 5-të, publikun, që edhe ata binin në sy dhe rritnin rolin e vet karshi publikut tjetër”, ka shkruar Saqipi në Facebook. 

Kurse, regjisori i shfaqjes “Sërish vijnë zgjedhjet, Faik Ispahiu ka potencuar se koncepti i teatrit nuk ka ndryshuar me mijëra vite, në fillim, ka qenë në fushë, pastaj ka kaluar në skenë guri e mermeri, pastaj ka kaluar në skenë me dërrasa të rrethuara me mure të ndryshme. 

“Sot, skena ka kaluar në ‘dërrasa virtuale’. Edhe pse teknologjia ka ndryshuar, koncepti ka mbetur i njëjtë: aktorët do ta përgatisin tekstin e shkruar sipas një ngjarjeje të bazuar në ide, për të përçuar mesazh të regjisorit, për ta shfaqur para publikut i cili ka dëshirë dhe nevojë për ta përjetuar atë shfaqje dhe atë përvojë”, ka thënë regjisori Ispahiu. 

Repriza e radhës e kësaj shfaqje është planifikuar të jepet nesër, e martë, më 14.07.2020, LIVE në ora 21:00.