Bujar Bukoshi

Tryeza e rrumbullakët e Bukoshit e mbushur me verëra, raki ftoi e chivas

Një tryezë e rrumbullakët e ftuar nga ish zëvendës kryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi i kishte kushtuar buxhetit të shtetit 821 euro.

Në këtë drekë ishin paguar për set menu 562 euro.

45 persona kishin porositur ushqim, ku vetëm për 1 person çmimi kishte qenë 12 euro e gjysmë.

Aty ishin porositur edhe 8 shishe verë. 4 shishe verë të llojit “Montepulciano Rosso” dhe 4 lloje tjera të “Trebiano Bianco”. Një shishe verë kishte kushtuar 12 euro, ndërsa totali i verërave të pira gjatë kësaj tryeze të rrumbullakët kishte qenë 96 euro.

Dikush prej të pranishmëve kishte porositur edhe një gotë “Chivas Regal”, ndërsa dikush tjetër edhe një gotë raki ftoni.

Në këtë takim kishin qenë të pranishëm përfaqësues të ministrive të ndryshme. Nenad Rashiq nga Ministria e Punës, Dardan Gashi si ministër i Ambientit, Ferid Agani si ministër i shëndetësisë e zyrtarë të ndryshëm nga këto ministri.

Kallxo.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.

Në dosjen prej qindra faturash të siguruara pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e 5 zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.

Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.

Në dosjen “Sa han Shefi” e cila tashmë është aktive në KALLXO.com, çdo ditë do të publikohen fatura të reja të shpenzimeve të shoqëruara me shkrime dhe dëshmi për shpenzime.