Krahas verërave italiane Thaçi konsumon edhe verë vendore

KALLXO.com ka raportuar për faturat e shpenzimeve të zyrës së ish kryeministrit Thaçi, ku i njëjti ka shpenzuar para të buxhetit të Republikës së Kosovës në vera e raki të shtrenjta.

Megjithatë KALLXO.com ka gjetur fatura ku Hashim Thaçi ka konsumuar edhe verëra vendore.

Në një faturë prej 384 euro për pije e ushqim, Zyra e Thaçit kishin porositur edhe verë të shtëpisë që kishte kushtuar 9 euro.

Megjithatë aty janë konsumuar edhe dy vera të huaja të llojit “Amarone” që i kanë kushtuar shtetit 156 euro në total, 78 euro për copë.

Aty janë blerë edhe 3 cigare të llojit “Marlboro” që në 2011 kanë kushtuar 6 euro në total. Fatura e kësaj darke ishte lëshuar në orën 1 të mëngjesit të 4 janarit 2011.

Në një faturë tjetër të majit të 2011 Thaci kishte konsumuar përsëri verë vendore “Therana Gamay Noir”. Ishin porositur dy shishe të këtij lloji që në total kanë kushtuar 30 euro.

Në këtë drekë ishin ngrënë edhe 3 ëmbëlsira tiramisu, që i kishin kushtuar shtetit 9 euro e ishte ngrënë edhe 1 pulë amerikane që kishte kushtuar 8 euro copa. Fatura e kësaj darke që kishte kapur vlerën e 164 euro ishte lëshuar në ora 19 e 25 minuta.

Edhe në një rast tjetër zyra e Thaçit kishte porositur verë vendore nga Bodrumi i Vjetër. Në këtë darkë të korrikut të 2011 ishin porositur edhe biftekë, speca me mazë, mish vici në skarë, rizoto e pleskavicë.

Fatura e kësaj drekë është lëshuar në mesditën e 21 korrikut të 2011 dhe ka kushtuar 133 euro.

Të tri këto tri dreka, faturat e së cilave i posedon KALLXO.com kapin vlerën e 680 eurove.

KALLXO.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.

Në dosjen prej qindra faturash të siguruar pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.

Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.

Në dosjen “Sa Han Shefi” e cila tashmë është aktive në KALLXO.com, çdo ditë do publikohen fatura të reja të shpenzimeve të shoqëruara me shkrime dhe dëshmi për shpenzimet.