Komuna e Prishtinës shpenzoi 500 euro në drekën ku nënshkruan topin

Komuna e Prishtinës më 1 maj të vitit të vitit të kaluar, në ditën e punëtorëve kishte shpenzuar 500 euro për drekën me ushqime tradicionale.

Kjo drekë, sipas dokumenteve zyrtare të Komunës së Prishtinës, ishte shtruar në organizimin ku ishte nënshkruar një top i kampionatit botëror.

Të pranishëm kishin qenë edhe zyrtar të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Friederich Ebert Stiftung.

“Me rastin e organizimit të “Nënshkrimi i topit të kampionatit botëror” nga ana e kabinetit të kryetarit z.Ahmeti të Komunës së Prishtinës, në bashkëpunim me “Federatën e Futbollit të Kosovës” dhe “Friederich Ebert Stiftung” me datë 1 Maj, kërkojmë mbulueshmërinë e shpenzimeve të ushqimit”, thuhet në kërkesën që kryetari Shpend Ahmeti i’a kishte dërguar departamentit të financave.

Në këtë drekë kishin marrë pjesë 100 persona. Shujta për 1 person kishte kushtuar 5 euro, ndërsa totali 500 euro.

KALLXO.com ka publikuar shpenzimet e drekave dhe darkave zyrtare të kryetarëve të komunave dhe zyrtarëve tjerë.

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.