Foto: Zyra e Presidentit

Këshilltari i Hashim Thaçit ruan në bankë një çerek milion euro

Këshilltari i Presidentit Hashim Thaçi ka deklaruar se posedon mbi 225 mijë euro para të gatshme.

Blerim Shala që mbanë postin e këshilltarit politik të Hashim Thaçit tash e 3 vite deklaron pothuajse vlerën e njëjtë të parave ta gatshme në bankë, me një dallim shumë të vogël.

Këtë vit, Blerim Shala ka deklaruar se posedon 226 mijë e 518 euro para të gatshme në emër të tij.

Në 2018 kishte deklaruar 226 mijë e 431 euro apo 87 euro më pak se këtë vit.

Ndërsa 2 vite më herët, më 2017, Blerim Shala kishte deklaruar 226 mijë e 46 euro.

Shala ka deklaruar edhe 100 ero më shumë të hyra vjetore të cilat i ka marrë nga kamata në bankë prej llogarisë së kursimeve.

Këshilltari i presidentit ka deklaruar se posedon dy banesa, me vlerë totale 200 mijë euro, secila prej tyre 100 mijë euro.

Paga vjetore e tij në presidencë është 22 mijë e 236 euro, ndërsa nga mëditjet e udhëtimit thotë se ka marrë 2 mijë e 459 euro.

Shala ka deklaruar edhe mbi 5 mijë eurot të hyra si honorarë nga dy portale.

Ndërsa, të hyrat e bashkëshortes së tij që punon në KEDS janë 6 mijë e 134 euro në vit.

Këtu mund ta gjeni deklarimin e pasurisë së Blerim Shalës.