Vlera e pasurisë së Kadri Veselit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli në deklarimin e pasurisë ka vlerësuan në para vetëm banesën e bashkëshortes së tij, ndërsa pasuritë e tjera të paluajtshme, Kadri Veseli i ka vlerësuar me zero euro.

Të njëjtën metodë, Kadri Veseli e kishte ndjekur edhe vitin e kaluar.

Kadri Veseli, shtëpinë e tij 350 metra katror thotë se e vlerëson me zero euro. Edhe 10 hektarë tokë/mal i ka vlerësuar me vlerë prej zero euro. Të dyja këto të trashëguara nga prindi i tij.

Ndërsa edhe një lokal 270 metra katror që thotë se  e ka blerë më 2017/2018, Veseli e ka vlerësuar me zero euro.

Për këtë lokal, Veseli thotë e ka blerë me kursimet e tij, shitjen e një banesë 207 metra katror si dhe nga kredia prej 140 mijë euro që e kishte marrë në mars të 2018. Ndërsa, për objektin thotë se nuk është përfunduar ende.

Ndonëse këtë lokal e ka blerë mes viteve 2017 dhe 2018, Kadri Veseli thotë se e ka në pronësi të tij dhe jo të përbashkët me bashkëshorten e tij.

Kadri Veseli posedon 1 veturë “Jeep”, me vlerë prej 12 mijë euro. Vitin e kaluar kjo veturë ishte vlerësuar 16 mijë e 300 euro. Mirëpo zvogëlimi i vlerës prej 4 mijë e 300 euro, sipas Veselit ka ndodhur për shkak të amortizimit.

Në 2018, Veseli nuk kishte pasur kredi, ndërsa në 2019, ai ka një kredi prej 110 mijë e 935 euro. Këtë kredi, Veseli do ta paguaj për 6 vjet apo 72 muaj.

Paga dhe mëditjet e Kadri Veselit janë rritur në krahasim me vitin e kaluar.

Në 2018, Kadri Veseli merrte pagë 30 mijë e 667 euro, ndërsa në deklarimin e pasurisë për vitin 2019, Veseli ka deklaruar pagë vjetore prej 33 mijë e 870 euro.

Ndërsa mëditjet brenda vitit në 2018 ishin vlerësuar 2 mijë 255 euro, ndërsa në 2019 mëditjet e Veseli kanë arritur mbi 5 mijë e 308 euro.

Deklarimi i pasurise se Kadri Veseli1