Dyshime në deklarimin e pasurisë: Milaim Zekës i shtohet një banesë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka në deklarimin e pasurisë së këtij viti ka deklaruar se posedon 6 banesa, një shtëpi dhe 10 hektarë toke në pronësi të përbashkët, tij dhe të fëmijëve.

Mirëpo ka një dallim të madh në deklarimet e pasurisë nga viti i kaluar me këtë vit.

Vitin e kaluar, Milaim Zeka kishte deklaruar vetëm 5 banesa, ndërsa këtë vit deklaron 6 banesa.

Njëra nga banesat që Milaim Zeka e ka deklaruar në deklarimin e pasurisë së vitit 2019 thotë se është në pronësi të fëmijëve, por që ishte blerë në vitin 2013 nga të ardhurat personale dhe kursimeve.

Nëse kjo banesë ishte blerë në vitin 2013, Milaim Zeka do duhej ta deklaronte edhe në deklarimin e pasurisë së vitit të shkuar.

Banesa në fjalë, ka 100 metra katror dhe sipas Zekës ka vlerën e 120 mijë eurove.

Në një bisedë për KALLXO.com, Milaim Zeka e pranon se kjo banesë është blerë në vitin 2013.

Ndërsa mos deklarimin e kësaj pasurie në deklarimet e vitit të kaluar, Zeka e arsyeton me faktin se për këtë është konsultuar

“Ajo banesë është blerë në 2013. Nuk e kam deklaruar sepse nuk është pasuri e imja, hala se kam qit mbi veten. E këtë vit e kam qit sepse kur jam konsultuar me personin i cili më ka mësuar se qysh me deklaru, më ka thanë që pa marrë parasysh, qite mi vete, ma mirë është me qit. Kryesorja është që kontrata është nënshkruar më 2013, për qeta”, tha Zeka për KALLXO.com

“Unë prej që jam deputet, e marrë veç rrogën e deputetit”, tha tutje ai.

Në fund të deklarimit, Zeka ka dhënë një të dhënë shtesë ku ka deklaruar se e gjithë kjo pasuri e paluajtshme është fituar gjatë jetës aktive që e ka pasur në Europë e Amerikë që nga vitit 1982.

Deklarimi i rrejshëm i pasurisë cilësohet vepër penale.

Pasuria e paluajtshme e familjes së deputetit Zeka, me banesa, shtëpi e truall kap shifrën e 815 mijë eurove në total.

Në pronësi të përbashkët, Milaim Zeka ka 4 banesa, ndërsa vetëm njëra nga banesat është e tij, dhe një tjetër në emër të fëmijëve të tij.

Zeka ka edhe një shtëpi të trashëguar në pronësi të përbashkët me vlerë prej 100 mijë euro si dhe 10 hektarë tokë me vlerë prej 100 mijë euro poashtu.

Milaim Zeka posedon edhe dy vetura që vlerën totale e kanë 13 mijë euro.

Gruaja e Zekës e udhëhiqet edhe nj shoqëri komerciale ku posedon 100% të aksioneve.

Milaim Zeka ka deklaruar se posedon në bankë edhe 25 mijë euro cash, ndërsa gruaja e saj posedon 29 mijë e 500 euro.

Paga vjetore e Milaim Zekës si deputet i Kuvendit të Kosovës kap shifrën e 23 mijë e 700 euro.

Ndërsa gruaja e Zekës merr 4 paga. 20 mijë e 600 euro nga RTK, 4 mijë e 400 euro nga një Universitet Privat në Kosovë si dhe nga kompania që e udhëheq “Mozaik-u” merr 5 mijë e 130 euro në muaj.

Milaim Zeka ka deklaruar se gruaja e tij merr edhe 21 mijë e 688 euro në vit nga një projekt i bankës botërore në Prishtinë.

Zeka ka deklaruar gjithashtu se ka marrë edhe 65 mijë euro nga RTK-ja, si pagesë e borxhit që kjo e fundit e ka pasur ndaj emisioni “Pa Rrotlla” për vitet 2009-2017, që ishte moderuar në atë kohë, nga deputeti Milaim Zeka.

Kohëve të fundit, deputeti i Nismës Social Demokrate, Milaim Zeka ka njoftuar se është duke punuar për themelimin e një partie në fund të muajit qershor.

Deklarimi i pasurise se Milam Zekes per vitin 2019
Deklarimi i pasurise se Milam Zekes per vitin 2018