Dreka që kushtoj gati sa tërë subvencionet për çiklizmin

Komuna e Ferizajt në 2016 kishte shpenzuar 1 mijë e 440 euro për të shtruar drekë për klubin e Çiklizmit “Kastrioti” i po këtij qyteti, ndërsa për 3 vite këtij klubi i kishin dhënë subvencione rreth 15 mijë euro.

Komuna e Ferizajt është treguar dorëlirë për dreka për klubin e çiklizmit “Kastrioti” dhe për federatën e çiklizmit, por jo edhe për subvencione.

Për 3 ditë të organizmit të garave në çiklizmit, buxheti i Komunës ishte shpenzuar për 1 mijë e 440 euro për dreka të pjesëmarrësve të këtij organizmi.

KALLXO.com ka siguruar faturën e shpenzimit të këtyre drekave.

“Ushqim drekë dhe darkë nga data 27/05/2016 deri më 30/05/2016”, shkruhet në faturën e siguruar prej KALLXO.com

Kjo komunë, që në 2016 u përfaqësues në lojërat olimpike të Rios me çiklistin Qëndrim Guri, për 3 vite ka subvencionuar këtë klub me vetëm rreth 15 mijë euro.

Në vitin 2016, Komuna e Ferizajt, për klubin e çiklizmit “Kastrioti” i kishte ndarë 5 mijë e 700 euro, të cilat ishin ndarë në 3 periudha të caktuara kohore. Në po këtë vit, sportisti Guri kishte udhëtuar për në Brazil.

Ndërsa në vitin 2017, Komuna e Ferizajt e kishte lëshuar dorën duke rritur donacionin për klubin e çiklizmit “Kastrioti”.

Në 2017, klubi “Kastrioti”, nga subvencionet prej komunës në kishte marrë 7 mijë 700 euro apo 2 mijë euro më shume se viti paraprak. Njëjtë si në 2016, edhe këto të holla ishin dhënë në 3 periudha të ndryshme kohore.

Ndërsa në 2018, ky klub ishte subvencionuar nga Komuna me vetëm 2 mijë euro.

Të tri subvencionet KALLXO.com i ka siguruar nga Komuna e Ferizajt përmes qasjes në dokumente publike.

15 mijë e 400 euro ishte ndarë në total për klubin e çiklizmit “Kastrioti” në 2016, 2017 dhe 2018.

Ndërsa Komuna në 3 ditë për dreka dhe darka kishte shpenzuar 1 mijë e 440 euro ose 9% të mjeteve për 3 vite.

KALLXO.com ka filluar publikimin e dosjes “Sa Han Kryetari”, ku përmes artikujve do të bëhen publike shpenzimet e drekave dhe darkave zyrtare të kryetarëve të komunave të Kosovës dhe vartësve të tyre.

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.