Dështon gjykimi për dhunë në familje pasi munguan të akuzuarit

Gjykimi për rastin e dhunës në familje  në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet për shkak se të akuzuarit nuk ishin të pranishëm në seancë.

Sipas gjyqtarës së rastit, Lindita Jakupi, gjykata i ka njoftuar me kohë të akuzuarit, por që në dy raste nuk i janë përgjigjur ftesës.

“Gjykata i ka njoftuar me kohë të akuzuarit dhe mbrojtësin e tyre, por asnjëri nuk i është përgjigjur ftesës së gjykatës”, deklaroi gjyqtarja Lindita Jakupi.

Gjyqtarja njoftoi palët e dëmtuara A.D dhe vajza e saj I.R dhe prokurorin Rrahim Podvorica se do të urdhëroj sjelljen me forcë të të akuzuarëve në seancën e radhës.

Megjithatë, e dëmtuara A.D e njoftoi gjyqtarën që i akuzuari është në paraburgim për një vepër tjetër penale, dhe se i njejti duhet të njoftohet në qendër të paraburgimit.

Sipas aktakuzës, B.R akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa të dëmtuara janë ish-gruaja e tij A.D dhe vajza I.R.

Seanca e radhës është caktuar në muajin shtator.