Dëshmi:15 vjeçarja nga Shtimja u la shtatzënë pa dëshirë

Gjykata e Ferizajt ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.Rr. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën  penale- keqpërdorimi seksual i personit nën moshën gjashtëmbëdhjetë (16) vjet.

I pandehuri A.Rr. dyshohet se në dhjetor të vitit 2017 në Ferizaj ka ndalur veturën e tij në rr. “Reçaku” duke i thënë të dëmtuarës – e mitur (15 vjeçare), se nëna e saj i kishte thënë që ta merrte atë dhe ta dërgonte te dajat. E dëmtuara kishte pranuar edhe pse nuk e kishte njohur të pandehurin. Ai e kishte dërguar në fshatin Pleshinë, në një hapësirë të pyllëzuar ku edhe kishte kryer marrëdhënie seksuale pa pëlqimin e të dëmtuarës së mitur.

Nga kjo marrëdhënie e mitura kishte ngelur shtatzënë dhe më pas kishte lindur më 22.08.2018, ku nga raporti i ekspertimit është konstatuar se gjasat që i pandehuri të jetë baba biologjik i foshnjës ishin 99.99%.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.