Dënime me Kusht për Ish-Ministrat e Kulturës

Ish-ministrat e Kulturës Astrit Haraqija dhe Valton Beqiri janë dënuar me kusht nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Astrit Haraqija e Valton Beqiri u dënuan me nga 10 muaj burg me kusht. Ata duhet të mos kryejnë vepra penale tjera në afatin prej dy vjetësh, nëse nuk duan të shkojnë në vuajtje të këtij dënimi.

Producenti filmik Armond Morina u dënua me gjashtë muaj burg efektiv, ndërsa producenti tjetër Nehat Fejza u shpall i pafajshëm.

Pafajësinë Fejza e fitoi ngase gjykata mori parasysh si rrethanë lehtësuese realizimin e projektit të tij filmik.

Akvendimi i gjykatës për ish-ministrat dhe producentët ishte caktuar të merrej në orën 14:00, por ai u vonua për gati dy orë.

Pas seancës për KALLXO.com Teki Bokshi mbrojtës i Astrit Haraqisë tha se ka pritur aktgjykim lirues dhe se ndaj këtij vendimi do të paraqes ankesë.

“Tashti pres aktgjykimin e formës së shkruar me arsyetim, po me të thënë të drejtën nuk e kam plotësisht të qartë se çfarë vendimi ka marrë gjykata, ka aplikuar standarde të dyfishta për paragrafin 1 dhe 2, unë kam qenë thellësisht i bindur se do të vijë deri te vendimi lirues. Kjo është bindja e gjykatës dhe ne do të paraqesim ankesë kundër këtij vendimi,” tha Bokshi.

Ai shpreson që Gjykata e Apelit do ta lirojë të mbrojturin e tij.

“Unë mendoj se ky vendim është një kompromis  të cilin gjykata nuk do të duhej ta aplikonte po ta aplikonte ligjin dhe me bindje shumë të thellë gjykata do ta lirojë, praktikisht nuk është vërtetuar elementi qenësor dashja dhe nuk është vërtetuar se këta kanë sjellë dëm, të dy ministrat. Shpresoj që Gjykata e Apelit do ta përmirësojë këtë lëshim këto të meta sipas bindjes sime,” tha Bokshi.

Haraqija e Beqiri akuzoheshin për shpërdorim detyre, ndërsa Morina e Fejza për mashtrim në detyrë.

Haraqija që drejtoi Ministrinë e Kulturës në vitet 2004-2007, më 27 shkurt 2006 kishte nënshkruar kontratë me Nehat Fejzën, pronar i kompanisë “Concordia Pictures”, në vlerë prej 220,000 eurosh.

Ky ministër, më 30 janar 2007, nënshkroi një kontratë tjetër me Armond Morinën, pronar i kompanisë “Morina Films”, në vlerë prej 350,000 eurosh.

Kontratat lidheshin me filmat “Ndjekja e Larës” dhe “Mysafir në sofër”. Producent i të parit ishte Nehat Fejza, ndërsa i të dytit Armond Morina.

Valton Beqiri që drejtoi Ministrinë e Kulturës nga 2008-ta deri në 2010-ën, kishte nënshkruar aneks kontratën me “Morina Films”, duke transferuar 100 000 euro si subvencione për realizimin e filmit “Mysafir në Sofër”.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, ministria nënshkroi kontrata për këta filma në vlerën e 570,000 eurove në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe atë për Kinematografinë.

Aktakuza kundër dy ish-ministrave dhe dy producentëve u ngrit në prill të vitit 2012, ndërsa gjykimi i tyre nisi në marsin e 2014-ës.