Libor Chlad

Chlad: Në riformatizim të administratës na duhen partnerë të besueshëm

Komisioni Europian që është angazhuar në ndihmë për riformatizimin e administratës publike po beson në rezultat të mirë nga ky proces.

Libor Chlad nga KE tregoi për procesin e riformatizimit që ka nisur nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe pritet të vazhdojë në institucione tjera.

“Ne kemi punuar me partnerët në Kosovë në një mori fushash duke përfshirë edhe arsimin, që duke pasur parasysh moshën e re të popullsisë së Kosovës është një fushë shumë e rëndësishme në punën tonë këtu. Natyrisht, ne i përmbahemi të gjitha vlerave dhe parimeve në të  cilat është bazuar projekti evropian. Unë besoj që i ndajmë këto vlera, natyrisht është e padiskutueshme për këtë vend që t’i bashkohet BE-së një ditë”, tha Chlad.

Ai po ashtu bëri thirrje për mbikëqyrjen e proceseve të rekrutimit në pozitat e reformuara në MAShT.

“Neve na duhen partnerë të besueshëm me të cilët mund të punojmë për të përdorur paratë për më të mirën e mundshme për Kosovën. Ne kemi ofruar ekspertizë për ta ndihmuar ministrinë që t’i optimizojë burimet që i ka në dispozicion. I inkurajoj shoqërinë civile dhe mediat që ta mbikëqyrin procesin prej së afërmi”, tha Chlad.

Rreth 30 drejtorë të departamenteve dhe udhëheqës të divizioneve të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), gjatë javëve të kaluara janë zëvendësuar me ushtrues detyre.

Lidhur me këtë vendim, drejtorët e këtyre departamenteve kishin protestuar për të shprehur pakënaqësitë për degradimin nga pozitat që mbanin.

Në emisionin ‘Jeta në Kosovë’  u debatua mbi problemet e arsimit të lartë dhe atij të ulët.

Pjesëmarrës në debat ishin : Shyqyri Bytyqi, Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Marjan Dema, Rektor i Universitetit të Prishtinës, Jehona Gjurgjeala nga organizata ‘TOKA’, Libor Chlad, nga Komisioni Europian dhe Rozafa Koliqi profesor asistente në UP.

Në fund  të emisionit u transmetua  hulumtimi mbi konkursin për avancim në Fakultetin e Shkencave Matematiko Natyrore ku dy kandidatë po ankohen se u eliminuan padrejtësisht nga gara për Profesor Asistent.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: