Shyqiri Bytyqi, Ministër i Arsimit

Ministri i shpreh ngushëllime familjes së mësueses Preteni

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi i ka shprehur ngushëllime familjarëve, miqve dhe kolegëve të mësueses nga Mitrovica, Lindita Preteni, e cila është ndarë nga jeta.

Bytyqi ka shkruar në profilin e tij në Facebook se me pikëllim të thellë ka marrë lajmin për ndarjen nga jeta në moshë shumë të re të mësueses, e cila punonte në shkollën “Fazli Grajqevci”.

“Mësuese Lindita, sapo kishte nisur të japë kontributin e saj me përkushtim në arsimimin e gjeneratave të reja, prandaj kjo e shton dhembjen tonë dhe është një humbje e madhe për shkollën ku punonte, komunën dhe arsimin në përgjithësi. Prandaj, në emër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqëve dhe kolegëve të saj”, ka shkruar ai.

Preteni ishte mësuese e anglishtes dhe ishte 24-vjeçare ndërsa lajmin e hidhur e kanë bërë të ditur familjarët, të cilët kanë thënë se vdekja e saj erdhi papritur.