Behgjet Pacolli i Premton ‘Besnikëri’ Koalicionit me LDK-në

Katër deputetët e AKR-së, grup në të cilin bën pjesë edhe vetë Pacolli, janë ndër shpresat e Ramush Haradinajt ku synon për të marrë mbështetje në kandidaturën e tij për kryeministër.

Por Pacolli, për të cilin mbrëmë u raportua se është takuar me Haradinajn dhe liderin tjetër të koalicionit PAN, Kadri Veseli, e përgënjeshtroi lajmin e dhënë.

“S’kam pasë takim me Ramush haradinajn”, tha Pacolli sot pasi kreu procedurat e regjistrimit si deputet i Kuvendit të Kosovës.

Pacolli e vlerësoi nisjen e legjislaturës së re të Kuvendit, të gjashtës me radhë, por paralajmëroi se “ka shumë punë për të bërë dhe duhet të ecim përpara”.

Në zgjedhjet e kaluara, AKR e Pacollit ishte në koalicion parazgjedhor me LDK-në, parti me të cilën ai tha se pret të takohet për t’i koordinuar hapat e radhës.

“Nuk e di për takime e di që LDK ka mbajt mbledhjen e Këshillit Drejtues dhe ne do të kemi në mbledhje së bashku me LDK”, tha ai.

“Unë veproj vetëm në kornizat e marrëveshjes që i kemi me koalicionin. Unë besoj se (deputetët e AKR-së) do të veprojnë ashtu sipas përgjegjësive”, tha Behgjet Pacolli.