Banorët e fshatit Nikaj paralajmërojnë protestë për nesër

Banorët e fshatit Nikaj në Kaçanik kanë paralajmëruar protestë për nesër.

Organizuesit e protestës po kërkojnë një rrugë alternative në këtë fshat pasi që ndërtimi i autostradës Prishtinë-Shkup ka ndarë fshatin në dy pjesë e që sipas tyre, po u paraqet shumë probleme.

Labinot Guri, njëri nga protestuesit tha për KALLXO.com se kërkojnë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit një rrugë alternative në këtë fshat.

Guri thotë se kanë një vit që kanë paraqitur kërkesë nga MIT për ketë rrugë, por që sipas tij, nuk është ndërmarr asgjë.

“Problemi është që prej kur ka filluar ndërtimi i autostradës për Shkup, e ka ndarë fshatin në dy pjesë. Rruga lidhëse që u kanë ajo është mbyllë për shkak të autostradës. Përmes kësaj rruge ne i punojmë arat, gjithashtu edhe tash një numër i madh i nxënëseve po barten me kombi me çmim prej 20 euro, gjë e cila është e përballueshme për familjarët”, u shpreh ai.

Protesta fillon nesër në orën 10:00, konkretisht në rrugën kyçëse të fshatit Nikaj në magjistralen Prishtinë-Shkup.

Autostrada e njohur ndryshe si ‘Arbën Xhaferi’ është kritikuar mjaft për vonesat në punime dhe gjoba 53 milionë ndaj kompanisë kontraktuese ‘Bechtel-Enka’.

Kjo autostradë ishte paraparë që të përfundojë në fund të vitit që lamë pas.