Pikturë e realizuar nga Fetah Shehu

Lufta e Kosovës në sytë e piktorit që lindi pas luftës

Edhe pse Fetah Shehu nga Begraca e Komunës së Kaçanikut ka lindur pas luftës në Kosovë, në pikturat e tij pasqyrohen vuajtjet e kosovarëve gjatë luftës në vitet e 90-ta.

Përmes kombinimit të ngjyrave në piktura, 21-vjeçari arrin të përçojë emocionet dhe vuajtjet tek të tjerët sikur t’i kishte përjetuar vet ato.

“Këto piktura me ngjallin emocione të cilat vetëm ne i dimë, vuajtjet të cilat i kemi kaluar”, ka treguar Shehu.

Ai ka treguar se këto piktura e kthejnë pas në kohë dhe e bëjnë të ndjejë të njëjtën dhembshuri.

I riu i talentuar në pikturë ka thënë se pasqyrimi i luftës përmes penës dhe ngjyrave është edhe një mision për t’ua treguar gjeneratave më të reja vuajtjet e kosovarëve.

“Piktura shpreh më shumë fjalë se sa vet artisti që e ka krijuar atë”, ka rrëfyer 21-vjeçari nga Kaçaniku.

Edhe pse Fetah Shehu ka realizuar një numër të madh të pikturave që për motiv kanë luftën në Kosovë, ai ka treguar se ende ato nuk ka arritur t’i ekspozojë. 

“Këto piktura më kanë ardhur si frymëzim nga vendi im, të tregoj histori, të kaluarën e dhimbshme”, ka thënë ai.

Pikturë e realizuar nga Fetah Shehu

Paraqitja e realitetit apo zhanri i realizmit është i preferuari i tij.

“Më shumë më pëlqen me shfaqë realitetin e vendit tonë përmes kompoziconeve të ndryshme”, ka treguar ai.

Fetah Shehu shkollimin e ulët e ka kryer në fshatin ku ka lindur ndërsa atë të mesëm në gjimnazin “Kuvendi i Lezhës” në Kaçanik. Derisa vazhdonte vijonte mësimin në shkollën e mesme ai ndiqte edhe një kurs për pikturë dhe vizatim.

Piktura të realizuara nga Fetah Shehu

Pasi përfundoi shkollimin e mesëm, ai arriti të pranohet në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Tani ai është në përfundim të studimeve bachelor.

Autorja Vesa Tupalla është nxënëse e gjimnazit “Ahmet Gashi” në Prishtinë.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.