Aktivisti i ambientit: Gjendja e lumenjve në Kaçanik është e tmerrshme

Aktivisti i ambientit nga organizata joqeveritare ‘Gjethi’, Valon Raka, ka thënë se gjendja e lumenjve në komunën e Kaçanikut është e tmerrshme.

Duke folur në Samitin e parë për lumenjtë e Kosovës Raka ka thënë se banorët atje janë në një betejë morale, ligjore e njerëzore, sipas tij, për mbrojtjen e lumenjve.

“Mua më vjen keq që sot nuk kemi prezent askënd nga Qeveria e Kosovës, asnjë ministër e as përfaqësues që ka qasje në vendimmarrje. As komuniteti i biznesit nuk është prezent. Këta janë ata që e implementojnë krejt atë katrahurë të tërë. Gjendja e përgjithshme e lumenjve në Kaçanik është jo e keqe, është e tmerrshme. Kemi ndotje në disa sfera, kemi ndotje të kanalizimit, ujërave të zeza, kemi ndotje të ujërave industriale, kurse tmerri më i madh është çështja e hidrocentraleve” – ka thënë Raka.

Tutje, sipas tij, lumi Nerodime është një lumë i vdekur, pasi që nuk ka gati fare gjallesa. Ndërsa lumi Lepenc është duke u ndotur me intensitet të lartë.

“Lumi Nerodime mund të themi që është lumë i vdekur, se nuk ka gati fare gjallesa ose së paku nuk kemi parë. Lumi Lepenc në të njejtën kohë ka ndotje me intensitet të lartë industrial, duke përfshirë fabrika siç është silkapori dhe disa rafineri të naftës që dyshojmë se ato hudhin mbeturinat në lumin Lepenc” – shtoi ai.

“Kemi arritur të përfundojmë me sukses një fazë të aktivizimit tonë që ka qenë padia jonë që ia kemi bërë Ministrisë së Mjedisit dhe e kemi fituar atë në disa nivele” – ka thënë Raka.

Nën organizimin e KOSID (Konsorciumi kosovar i shoqërisë civile për zhvillim të qëndrueshëm) dhe Riverwatch, në Prishtinë është mbajtur Samiti i parë për lumenjtë e Kosovës, me temën “Lumenjtë dhe mbrojtjaa e tyre”.