Shkeljet nëpër tenderë në Ministrinë e Infrastrukturës në kohën e Lutfi Zharkut e Pal Lekajt

Shkelje në procedurat e prokurimit, kryesisht në projekte të infrastrukturës rrugore, si dhe ngecje në zbatimin e rekomandimeve të Auditorit, ka gjetur mes tjerash në katër vitet e fundit, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit.

Opinione të pamodifikuara i ka dhënë Auditori i Përgjithshëm Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit në tri vite,  përderisa në raportin për vitin 2017, ky dikaster ka pranuar opinion të kualifikuar me theksim të çështjes.

Auditori i Përgjithshëm, Ministrisë Infrastrukturës dhe Transportit në raportin për vitin 2015, i ka dhënë opinion të pamodifikuar me theksim të çështjes.

“Dua të tërheq vëmendjen tuaj te fakti se kontratat e mirëmbajtjes prej 7,041,891€ nuk nxjerrin në pah elementet e shpenzimeve që do ta përmbushnin përkufizimin “kapitale” për arsye se nuk është bërë një ndarje e qartë e shpenzimeve kapitale dhe mallra dhe shërbime. Në anën tjetër, nuk është vërejtur ndonjë qasje sistematike e MI-së për të regjistruar projektet kapitale (në ndërtim) të bashkë financuara me komuna si investime në vijim. Po ashtu, nuk ka siguri mbi raportimet e mbajtjes së stoqeve të kripës”, thuhet në raportin e vitit 2015 që kishte opinion të pamodifikuar, pra pasqyrat vjetore financiare paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale.

Edhe në raportin për vitin 2016, Auditori kishte dhënë opinion të pamodifikuar, por me theksim të çështjes. Edhe në vitin 2016 kishte keqklasifikime, pasi shpenzimet për mallra dhe shërbime në vlerë 1,113,189 euro ishin buxhetuar dhe realizuar gabimisht nga investimet kapitale. Shkelja e njëjtë ishte përsëritur edhe në vitin 2017, në të cilin kishte edhe çështje të tjera që i kishte theksuar Auditori në opinionin e tij.

Theksim të çështjes kishte edhe në raportin e vitit 2018, në të cilin janë veçuar disa parregullsi. Të njëjtat dobësi ishin përsëritur edhe në vitin 2018. Serish mirëmbajtja e rrugëve ishte klasifikuar si investim kapital, ndërkohë që Auditori thotë se kemi të bëjmë me shpenzime nga kategoria e shërbimeve.

Një tjetër parregullsi ka të bëjë edhe me shpenzimet për projektin ‘Dislokim të varrezave nga Traseja e Autorrugës R6, Prishtinë-Hani i Elezit’ në vlerë prej 353,589 euro janë paguar nga MIT-i, si pasojë e tejkalimit të sasive të parashikuara me kontratën bazë. Si dhe gjetja tjetër e veçuar nga Auditori është se shuma prej 153,554 euro ishte paguar për kompensimin e pagave për 32 zyrtarë, për të cilët nuk ka dëshmi të paraqitjes së tyre në vendin e punës; si dhe si pasojë e mungesës së kontrolleve, një faturë në shumën prej 47,168 euro ishte paguar dy herë.

Dobësitë sistematike në prokurim

Dobësi në zbatimin e procedurave të prokurimit, nënshkrim të kontratave me operatorë që nuk i kanë plotësuar kërkesat e përshtatshmërisë së dosjes së tenderit, vonesa në zbatimin e projekteve dhe në pagesa, mosofrim të informatave të plota për auditim, si dhe  parregullsi në njoftimin për dhënie të kontratës ka gjetur auditori në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit në katër vitet e fundit.

Në raportin e vitit 2015, Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar vonesa në zbatimin e projekteve, si dhe vonesa në pagesa.

Auditori ka gjetur se mirëmbajtja e rrugëve ishte vonuar në dimërin e vitit 2015 për shkak të zvarritjes së procedurave të prokurimit si pasojë ankesave të bizneseve që pretendonin se kishte shkelje ligjore.

“Ministri duhet të sigurojë se është kryer një shqyrtim për të përcaktuar pse në rastet e mësipërme kërkesat e prokurimit nuk janë zbatuar me konsistencë. Rrjedhimisht, duhen kontrolle të shtuara për të siguruar që një situatë e ngjashme nuk do të përsëritet në prokurimet e ardhshme”, thuhet në rekomandimin që ka dhënë Auditori në raportin e vitit 2015.

Por, dobësi në prokurim janë gjetur edhe në vitin 2016. Kontrata për “Furnizim me veshmbathje verore dhe dimërore” në vlerë 8,430€, fillimisht ishte nënshkruar para zotimit të mjeteve, më pastaj, e njëjta kontratë ishte ri-nënshkruar pas datës së zotimit të mjeteve. Po ashtu Operatori Ekonomik (OE) fitues i tenderit nuk kishte ofruar vërtetimin tatimor, vërtetimin nga gjykata dhe deklaratën për specifikimet teknike të furnizimeve; raporti i vlerësimit të tenderëve nuk ishte nënshkruar nga udhëheqësi i prokurimit; cilësia e furnizimeve ishte kontestuar nga njëri prej anëtarëve të komisionit vlerësues; dhe nuk ishte aplikuar plani i menaxhimit të kontratës (PMK).

Gjithashtu, te procedura e prokurimit “Shërbime gjeodezike për përpilimin e elaborateve në shpronësimin për rrugët nacionale, magjistrale dhe regjionale të Kosovës” në vlerë të parashikuar prej 90,000€, fituesi i tenderit nuk kishte përmbushur kriteret e dosjes së tenderit. OE fitues nuk kishte ofruar vërtetimin tatimor, vërtetimin nga gjykata dhe as dëshmi të mjaftueshme për kontratat, përvojën e personelit, licencën dhe diplomën e menaxherit të projektit. Për më tepër, sipas raportit, çmimi i ofertës ishte 48.97 euro që paraqet një çmim jo normalisht të ulët në krahasim me ofertat tjera ku çmimi varionte nga 258.56 euro deri 564.04 euro, ndërsa çmimi i parashikuar nga njësia kërkuese ishte 698.68€.

Ndërkohë, shkelje janë gjetur edhe te procedura e prokurimit “Marrja e 16 veturave me qira për nevojat e MIT” në vlerë 79,104€, pasi anëtar i komisionit të vlerësimit ishte zyrtari që ishte përfshirë në përgatitjen e specifikave teknike, si dhe raporti i vlerësimit të tenderit nuk ishte nënshkruar nga menaxheri i prokurimit.

Përveç këtyre gjetjeve, mangësi janë evidentuar edhe në dy procedura të tjera të prokurimit.

“Ministri duhet të sigurojë se është kryer një shqyrtim gjithëpërfshirës për të përcaktuar pse në rastet e mësipërme kërkesat e prokurimit publik nuk janë zbatuar në tërësi. Kontrollet e brendshme në këtë fushë duhet të jenë subjekt i rishikimit urgjent nga menaxhmenti. Në prokurimet e radhës duhet të aplikohen kontrolle efektive që sigurojnë pajtueshmëri të plotë me kërkesat ligjore në të gjitha fazat e procesit të prokurimit”, thuhet në raportin e vitit 2016.

Parregullsi në njoftimin për dhënie të kontratës është gjetur edhe në raportin për vitin 2017 në MIT, nga ana e ZKA-së. Tek kontrata “Ndërtimi i udhëkryqit në fshatin Xërxë” prej 189,891 euro, Zyra e prokurimit nuk e kishte bërë njoftimin për dhënie të kontratës të cilën duhet ta dorëzojë në KRPP, mirëpo vetëm ju kishte dërguar letër standarde tenderuesve.

“Mungesa e njoftimit mbi dhënien e kontratës tregon dobësi në procesin e prokurimit si dhe rrezikon transparencën e aktiviteteve rreth projektit”, kishte paralajmëruar auditori.

“Ministri duhet të siguroj kontrolle në fushën e prokurimit duke përcaktuar shkaqet e mos përmbushjes së kërkesave ligjore në prokurimin e zhvilluar, më qëllim eliminimin e tyre në të ardhmen”, thuhet në raportin e vitit 2017.

Shkeljet janë gjetur edhe në vitin 2018, pra raportin e fundit të publikuar nga Auditori për këtë ministri. Sipas Ligjit të Prokurimit Publik (LPP) nenit 65 pika 4.1, operatori ekonomik nuk ka të drejtë që të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose në ekzekutimin e ndonjë kontrate publike, nëse gjatë dy (2) viteve të kaluara është shpallur nga një gjykatë kompetente si i falimentuar ose insolvent, dhe pika 4.8, nëse aktualisht është me vonesë në pagimin e tatimit në Kosovë.

ZKA thekson se me rastin vlerësimit të aktiviteteve të prokurimit, kanë identifikuar së në dy raste para nënshkrimit të kontratave nuk janë ofruar konfirmimet e kërkuara nga gjykata dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).

Fjala është për nënshkrimin e kontratës “Ndërtimi i rrugës nacionale Deçan- Mali i Zi” me vlerë 4,191,313 euro dhe nënshkrimi i kontratës “Nedakovc – Smrekovnicë Lot II” me vlerë 2,067,455 euro.

“Nënshkrimi i kontratave me operatorët ekonomik në mungesë të dëshmive të kërkuara, është rezultat i punës së zyrtarëve të prokurimit për të administruar procesin sipas rregulloreve”, thuhet në raportin e vitit 2018.

Sipas Auditorit, anashkalimi i kritereve të dosjes së tenderit, rritë rrezikun e nënshkrimit të kontratave me operatorë të pa përgjegjshëm. Kjo dëmton transparencën e procesit dhe mundësinë e diskriminimit të operatorëve tjerë konkurrues.

“Ministri duhet t’i rishikoj dy rastet e mësipërme dhe të analizoj pse kanë ndodhur parregullsitë e përmendura, si dhe të siguroj se Departamenti i prokurimit do të zbatoj me përpikëri të gjitha kërkesat e rregulloreve të prokurimit në të ardhmen”, rekomandon Auditori.

Gjatë vitit 2018 kishte dobësi edhe në hartimin e projekteve nga kompania e kontraktuar nga MIT-i, si dhe ri-hartim i projektit pa procedura të prokurimit.

Mungesë e zbatimit të rekomandimeve

Adresimi dhe implementimi i rekomandimeve të dhëna nga Zyra Kombëtare e Auditimit, në fusha të ndryshme, mbetet sfidë për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit.

Në raportin për vitin 2015, ZKA kishte dhënë 20 rekomandime kësaj ministrie. Në vitin pasues, MIT i ka pranuar 18 rekomandime, kurse në vitin 2017 nga Auditori ka pranuar 19 rekomandime për adresim të dobësive.

Sipas Auditorit, pjesa më e madhe e rekomandimeve janë përseritur nëpër vite, duke përfshirë klasifikimin e shpenzimeve, prokurimin, menaxhimin e pasurisë dhe obligimeve.

“Ministri duhet të zbatojë një proces efektiv për monitorimin e implementimit të rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm (AP), i cili përcakton kohën e synuar dhe zyrtarët përgjegjës për këtë. Rekomandimet të cilat nuk implementohen sipas afateve, të rishikohen në një afat të shkurtër, si dhe të ndërmerren veprime pro-aktivë ndaj barrierave të paraqitura gjatë zbatimit”, thuhet në raportin e vitit 2017.

Ndërkaq, në raportin për vitin 2018, ministria në fjalë i ka pranuar nga ZKA-ja 16 rekomandime.

“Deri në fund të auditimit tonë për vitin 2018, nënte (9) rekomandime janë zbatuar; tre (3) ishin në proces, katër (4) të mbyllur të pazbatuar, dhe tre (3) nuk janë adresuar ende”, thuhet në këtë raport.

Kjo ministri kishte angazhuar 68 persona me kontrata mbi vepër pa hapur procedura të rekrutimit.

“Ne fund të vitit (2018), përmes MSHV-ve ishin të angazhuar 135 nëpunës për pozita të ndryshme. Prej tyre, 68 janë të punësuar pa procedurë të thjeshtësuar të rekrutimit. Po ashtu, MI për të njëjtit zyrtar aplikon vazhdimin e kontratave të tilla çdo gjashtë (6) muaj. Përveç numrit të mësipërm, 29 të punësuar tjerë me MSHV ishin të angazhuar në pozita të ekzaminerëve. Kontratat paraprake iu kishin skaduar më 31.10.2017, por të njëjtit kishin vazhduar të punojnë edhe gjatë vitit 2018 pa kontrata. Pagat e tyre për kohën sa kanë punuar pa kontrata, janë paguar në tremujorin e parë të vitit 2019, pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Shërbime të Veçanta në vitin 2019”, thuhet në raportin e Auditorit.

Madje, Auditori ka gjetur se disa prej të punësuarve kanë mbuluar pozita të rregullta, si: Zyrtar Financiar, Zyrtar për Buxhet dhe Financa, Zyrtar Personeli, Zyrtar i IT-së.

Probleme të ngjashme kishte edhe në vitet paraprake.