Komuna e Gjilanit dha kontratë pa plotësim kriteresh, kryetari i Komisionit të vlerësimit ishte edhe menaxher i projektit

Komuna e Gjilanit ka nënshkruar kontratë në vlerë 570 mijë eurove edhe pse kompania fituese nuk i kishte plotësuar kërkesat e dosjes së tenderit. Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, kompanisë i ka munguar çekiçi pneumatik që është kërkuar në dosje të tenderit.

Meqenëse kompania ka ofruar një çekiç, anëtarët e Komisionit të vlerësimit e kanë konsideruar që mjafton për të plotësuar këtë kriter nga dosja e tenderit.

Po ashtu, gjatë auditimit është vërejtur që kryetari i Komisionit për vlerësimin e ofertave të tenderit ishte caktuar edhe menaxher projekti në kontratën në vlerë mbi 570 mijë euro.

“Sipas sqarimeve të zyrtarëve komunal, kjo ka ndodhur, pasi që ishte kohë pandemie dhe nuk kishte zyrtarë tjerë të cilët e pranonin këtë pozitë”, thuhet në raportin e auditimit për Komunën e Gjilanit.

Te procedura e prokurimit “Sigurimi i Automjeteve të Komunës”, kërkesë e dosjes së tenderit ishte që kompania fituese të ofrojë dëshmi se ka përfunduar me sukses kontrata të ngjashme, në vlerë minimale jo me pak se 160 mijë euro, në tri vitet e fundit.

Ndërsa kompania ka ofruar dëshmi vetëm për shumën 111,087 eurove. Zyrtarët e prokurimit kanë pohuar se ky ka qenë vetëm një gabim teknik.

Auditori gjithashtu ka hasur në mosrespektim të hapave për procedimin e pagesave sipas rregullave financiare në Komunën e Gjilanit.

Nga 22 mostra të testuara në kategorinë e ‘Mallrave dhe Shërbimeve’, është gjetur se në 17 prej tyre në shumë prej 631,405 eurove nuk janë respektuar hapat për procedimin e pagesave. Pra fillimisht është sjellë malli/shërbimi dhe fatura e pastaj, është bërë zotimi i mjeteve dhe është lëshuar urdhërblerja.

Një gjetje tjetër në Komunën e Gjilanit është edhe keqklasifikimi i shpenzimeve. Sipas ZKA-së, Komuna e Gjilanit ka kryer pagesa nga kategoritë e gabuara ekonomike në vlerë të 182,859 eurove.

Vlera 172,020 euro është paguar për shërbime të varrimit nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve ndërsa sipas natyrës së shpenzimit i takojnë kategorisë së subvencioneve.

Nga kategoria e ‘Investimeve Kapitale’ janë bërë dy pagesa në vlerë 10,839 eurove për blerjen e mallrave dhe shërbimeve.

Sipas ZKA-së, pasqyrat Financiare Vjetore të Komunës së Gjilanit, prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit për Sektorin Publik, sipas kontabilitetit të bazuar në para të gatshme.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e pasqyrave financiare të Komunës së Gjilanit për vitin 2020. Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditimit e gjeni KËTU.