Ilustrim

Auditori gjen se Komuna e Gjilanit nisi punë pa projekt ekzekutiv dhe keqklasifikoi shpenzimet në kategori ekonomike

Komuna e Gjilanit kishte filluar procedurat për ndërtim në mungesë të projekteve ekzekutive. Kështu thuhet në raportin e Pasqyrave Financiare të Zyrës Kombëtare të Auditmit për vitin 2020.

Sipas zyrës së Auditorit, projekti ”Punë publike – projekte të vogla në infrastrukturë” vlera e parashikuar e kontratës 570,000 € dhe projekti “Rekonstruimi i rrugëve në Lagjen Dardania” në vlerë prej 137,744 €, nuk kishte projekt ekzekutiv të ndërtimit.

Zyrtarët komunal kishin deklaruar se, kjo ka ndodhur pasi njëri projekt është për shtrimin e rrugës e cila veç është ekzistuese, ndërsa projekti tjetër ka të bëjë me intervenime sipas nevojës në infrastrukturën publike.

Auditori po ashtu kishte gjetur edhe keqklasifikim të shpenzimeve për kategori ekonomike, kjo pasi komuna kishte kryer pagesa për shërbime varrimi nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve, por që nga natyra i takon subvencioneve.

“Komuna ka kryer pagesa nga kategoritë e gabuara ekonomike në vlerë 182,859 €, si: Vlera 172,020 € është paguar për shërbime të varrimit nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve ndërsa sipas natyrës së shpenzimit i takojnë kategorisë së subvencioneve. Nga kategoria e investimeve kapitale janë bërë dy pagesa në vlerë 10,839 € për blerjen e mallrave dhe shërbimeve”, thuhet në raport.

Sipas ZKA-së, edhe këtë vit, Komuna ka vazhduar me kompensimin e tre shërbyesve civil jo në pajtim me akt emërimet. Përgjegjësi në sektorin e katalogimit dhe klasifikimit të librit, sipas kontratës duhej të paguhet me koeficient 7, por sipas listës së pagave paguhet me koeficient 6. Ndryshimi i koeficientit në kontratë nga 6 në 7 është bërë më 01.02.2012 por nuk është zbatuar;

Shefi i Sektori për Planifikim Hapësinor dhe Mbrojtje të Mjedisit, me akt emërim duhet të paguhet me koeficient 9, por sipas listës së pagave ai paguhet me koeficient 7.5. Ndryshimi i koeficientit nga 7.5 në 9 në kontratë është bërë më 01.02.2013 por nuk është zbatuar;

Përgjegjësi në Sektorin e Fëmijëve dhe të Rinjve, me akt emërim duhet të paguhet me koeficient 7, por sipas listës së pagave, paguhet me koeficient 6. Ndryshimi i koeficientit nga 6 në 7 është bërë më 01.02.2012.

Sipas raportit të Auditorit, komuna gjithashtu nuk kishte përgatitur plan vjetor për mbështetje të OJQ-ve.

“Komuna e kishte përgatitur Planin Vjetor për mbështetje financiare të OJQ-ve dhe e kishte dorëzuar në Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, mirëpo ky plan nuk përfshinte subvencionimet e OJQ-ve që do të bëheshin në vitin 2020, por përmban vetëm subvencionimet e OJQ-ve në fushën e Kulturës që do të jepen gjatë vitit 2021”, thuhet tutje në raport.

ZKA po ashtu ka gjetur se komuna ka iniciuar projekte pa zotim paraprak të fondeve.

“Kontrata për projektin “Rekonstruimi i rrugëve në lagjen Dardania” vlera e kontratës ishte 134,744 € ndërsa vlera e zotimit ishte 10,000 €”, theksohet tutje në raport.

Sipas ZKA-së, pasqyrat Financiare Vjetore të Komunës së Gjilanit, prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit për Sektorin Publik, sipas kontabilitetit të bazuar në para të gatshme.

Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditimit e gjeni këtu