Foto: Kompania "Pastrimi", Faceboook

Kompania 'Pastrimi' punësoi 37 persona pa procedura të rekrutimit gjatë vitit 2020

Kompania Rajonale “Pastrimi” sh.a., gjatë vitit 2020 ka angazhuar 37 punonjës me kontrata me afat të caktuar për punë dhe detyra specifike, por këta punonjës mbulonin pozita të rregullta dhe për të njëjtit nuk kishte zhvilluar procedura të rekrutimit.

Kështu thuhet në gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit(ZKA) për pasqyrat financiare të kësaj kompanie për vitin 2020.

Në raportin e ZKA-së potencohet se, sipas menaxhmentit të Ndërmarrjes Publike, punësimi përmes kontratave për punë dhe detyra specifike ka ardhur si rrjedhojë e rritjes së dukshme të vëllimit të punëve dhe nevojës për kryerjen e shërbimeve në mënyrë efektive sipas kërkesave të qytetarëve.

Auditori në raport thekson se, angazhimi i punonjësve pa zhvilluar proces konkurrues, eliminon konkurrencën dhe rritë rrezikun e angazhimit të personave jo të duhur në pozitat e caktuara.

Sipas Ligjit të punës nr.03/L-212, neni 8, punëdhënësi në sektorin publik, është i obliguar që të shpallë konkurs publik sa herë që pranon një punëmarrës dhe themelon një marrëdhënie të punës.

Vlen të theksohet se ZKA ka gjetur shumë shkelje në pasyrat financiare për vitin 2020 të kësaj kompanie.