Malisheva

Auditori: Malisheva përdori fondet e projekteve për qëllime të tjera

Komuna e Malishevës gjatë vitit 2021 ka ekzekutuar pagesa për projekte të ndryshme nga buxhetet e projekteve të tjera.

Komuna e ka bërë këtë në 19 pagesa në vlerë të përbashkët prej 517 mijë e 935 euro.

Kjo është një nga gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditorit, ku është thënë se komuna ka përdor fondet e projekteve për qëllime të tjera nga ajo që ishin planifikuar, pa i zbatuar procedurat dhe kriteret për transferim dhe rialokim të ndarjeve buxhetore nga një projekt kapital në një tjetër. –

Sipas ZKA-së, këto projekte ishin për: Asfaltimin e rrugëve lokale, ndërtimin e kanalizimeve, ndërtimin e ujësjellësëve, ndërtimin e rrugëve me kubëza, ndërtimin e ndriçimit publik, dhe për ndërtimin e infrastrukturës për gjatë lumit Mirusha – segmenti nga ura në qendër deri të transiti.

Auditori thotë se kjo kishte ndodhur për shkak të hyrjeve në kontrata publike pa mjete të mjaftueshme për projekte të caktuara dhe shpenzimi i fondeve në projektet e caktuara me rastin e ekzekutimit të pagesave përmes vendimeve gjyqësore.

ZKA ka shtuar se kjo ndikon në prezantime të gabuara të raporteve të progresit fizik dhe financiar të projekteve kapitale dhe rrezikon që buxhetimet e viteve vijuese të bëhen të pa sakta si dhe po ashtu rritë mundësitë e vonesave për pagesa të faturave tjera.

Auditori ka rekomanduar që kryetari duhet të sigurojë që gjatë ekzekutimit të pagesave për investime kapitale për të gjitha rastet, të respektohen shumat dhe kodet e projektit përkatës, siç janë të miratuara në ligjin e ndarjeve buxhetore dhe nëse paraqitet nevoja për ndryshimin e shumave apo të projekteve atëherë të kërkohet miratimi paraprak i Kuvendit Komunal.

Në anën tjetër, Ligji mbi ndarjet buxhetore për vitin 2021, neni 17 pika 10, tregon se, ndryshimet në shumat e ndara buxhetore për projektet ekzistuese apo zëvendësimin e projekteve kapitale të komunave, duhet të miratohen paraprakisht nga Kuvendi Komunal.

Ministri mundet nëse i ofrohen arsyetime të vlefshme nga ana e kryesuesit të organizatës buxhetore, të autorizojë lëvizjen e mjeteve të alokuara nga një projekt kapital në tjetrin brenda nën-programit të njëjtë të asaj organizate buxhetore.

Rialokimet duhet të kryhen në përputhje me procedurat dhe kriteret e parapara me udhëzimin administrativ të Ministrisë së Financave për procedurat e transferit dhe rialokimit të ndarjeve buxhetore.

ZKA: Malisheva regjistroi pasuri që s’i plotësoi kushtet të regjistrohet si pasuri e komunës